Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet sot në orën 17.00, tre ditë para mbajtjes së Kongresit të kësaj force politike. Ndër pikat kryesore të cilat do trajtohen janë dhe projekt-vendimi i shkarkimit të të gjithë kryetarëve të PS në rrethe, Statuti i ri, ndryshimi i simboleve, etj.
Sipas dokumentit që disponon newsbomb.al, punimet e Kongresit do të hapen nga Sekretari i partisë Damian Gjiknuri, në orën 12.00. Pas tij do të flasë Elisa Spiropali për procesin e Këshillimit Kombëtar, Ditmir Bushati për hapjen dhe fuqizimin e PS dhe Taulant Balla për përgjegjësitë e mazhorancës.
Edi Rama do të mbajë fjalën i fundit në këtë sesion të parë, në orën 12.35, dhe më pas do të nisë sesioni i punimeve formale. Newsbomb.al publikon sot draft-Statutin e plotë të socialistëve, i cili pritet të votohet në Kongresin e 9 prillit. Më parë janë publikuar dhe pjesë të caktuara që lidhen me Kryetarin e PS, Sekretarin Ekzekutiv, simbolet, etj.
Për t'u ndalur te Sekretari i Përgjithshëm, në dokument thuhet se ai (Damian Gjiknuri aktualisht) zgjidhet nga radhët e Asamblesë Kombëtare dhe është përgjegjësi kryesor për drejtimin dhe funksionimin administrativ dhe organizativ të partisë. Madje, Sekretari i Përgjithshëm "kryen funksionet e Kryetarit të Partisë për periudhën kur vendi i tij mbetet vakant.
Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm të partisë është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
- Jep dorëheqjen;
- Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e një të tretës së anëtarëve të AK-së;
- Nuk plotëson kushtet e integritetit moral e ligjor sipas kërkesave të nenit 45 të këtij Statuti
Po sipas draft-Statutit, Funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të kabinetit qeveritar si dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv me kohë të plotë.
Draft Statuti PS by Newsbomb Albania on Scribd