
Hollanda është skuadra e fundit gjysmëfinaliste e Euro 2024. Tulipanët mposhtën Turqinë në Olympiastadion të Berlinit brenda 90 minutave, ndryshe nga 3 çerekfinalet e tjera. Rezultati 2-1 për holandezët që fillimisht e panë veten në disavantazh në pjesën e parë.
Ishte mbrojtësi Akaydin që fluturoi mbi të gjithë dhe zhyti topin në fundin e rrjetës në minutën e 35’ për të shpërthyer festën e madhe të tifozëve turq në tribuna. Në pjesën e dytë, si për t’i kthyer reston ishte një tjetër mbrojtës, De Vrij, që u ngrit në ajër dhe barazoi shifrat me kokë.
Vetëm 6 minuta më vonë, në të 76’, një autogol i Muldur do të shtangte Turqinë dhe do t’i jepte avantazhin Hollandës.
Turqia e mbyll këtu aventurën e bukur në Euro 2024, ndërsa Hollanda vijon më tej në fazën gjysmëfinale ku më 10 korrik përballet me Anglinë dhe fituesi shkon në finalen e madhe të 14 korrikut për t’u përballur me fituesin e çiftit Spanjë – Francë.