Nga Retin Toka
Ekisha menduar se do të ishte e vështirë të parashikoheshin, por tanimë jam më i bindur se kurrë se s’do të vë bast për këtë kombëtare shqiptare! Mund t’i përkufizoj shumë shkurt: thjeshtë fantastikë. Pas çdo stuhie gjithmonë del dielli e kjo ngrohtësi së fundmi vjen nga Tbilisi i Gjeorgjisë. Një triumf i madh që ka ndezur zjarrin e nëntorit në Tiranë, me qëllimin e vetëm KUALIFIKIMIN. Grup, bashkë, përballë kundërshtarëve si një trup i vetëm, kjo Kombëtare të detyron të dashurohesh me të! Pas humbjes ndaj Çekisë, kuqezinjtë bashkë me tifozët u përballën me një zhgënjim dhe presion të jashtëzakonshëm.
Ndjesia e dështimit ishte prezente, kishte nga ata që amplifikonin ndërsa të tjerë e thonin me të madhe: Gaboi trajneri. Një humbje 2-0 që dukej sikur do të thyente moralin e skuadrës sonë dhe shpresat për të shkuar një grup më lart në Nations League. 90 minuta që u duk se “fshinë” atë ekip kuqezi që na krenoi në EURO 2024. Por, të gjithë gabuan. Humbja që dukej se do të zvarritej duke sjellë një seri negative dhe fundin e ciklit të “Silvinhos”, i karikoi dhe i motivoi më shumë Shqipërinë tonë.
Dy ditë më vonë pas përballjes në Pragë, nuk u fshi ekipi kuqezi që shkëlqeu në Gjermani, përkundrazi shkëlqeu fort duke marrë një kthesë dramatike që të kujton ringjalljen epike të Liverpool-it në finalen e Stambollit në 2005-sën. Ashtu si anglezët, që përmbysën një disfatë dhe situatë në disfavorin e tyre kundër Milanit, edhe Shqipëria tregoi se nuk dorëzohet kurrë. Në përballjen ndaj Gjeorgjisë, zemra u vu në fushë dhe pakti në heshtje i fitores brenda familjes së madhe u shpërfaq nëpër arteriet e gëzimit të gjithë shqiptarisë. Shija e hidhur me Çekinë u bë e ëmbël në minutën e 48-të të ndeshjes në Gjeorgji. Emocion dhe një aksion i ndërtuar plot këmbëngulje, një goditje predhë dhe sfera përfundoi si peshk në rrjetë.
Një triumf që padyshim ka ndryshuar gjithçka, bashkë me atmosferën e zymtë që kishte pushtuar familjen e madhe shqiptare. Edhe pse nga rëndësia e trofeve janë disi larg, por nga qëllimi dhe dëshira e triumfit qëndrojnë paralel, analogjia me Liverpool qëndron në faktin se si të dy skuadrat dolën nga errësira dhe u ringritën për të triumfuar. Një fitore që na kujton se futbolli sikurse dhe jeta është plot me momente të befta dhe kthesa të papritura. Megjithatë fundi nuk vjen kurrë nëse zemra vijon të rrahë e këtë na e tregoi edhe ekipi ynë. Mjaft solid dhe të vendosur mirë, duke iu kundërvënë një skuadre të motivuar që kërkonte 3 pikët.
Por, si Liverpool-i në Stamboll, Shqipëria gjeti forcën për të përmbysur frikën dhe për të qëndruar mbi sfidën. Kjo fitore me siguri ka ndezur tjetër dritë të fortë për të ardhmen, duke mbajtur gjallë ëndrrën e kapërcimit të grupit dhe duke treguar se asgjë nuk është e pamundur për këtë ekip kur triumfojnë bashkimi dhe vendosmëria. Fundja e kemi në ADN-në që në kohën e Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë sikurse thuprat e tij që s’u thyen të bashkuara.
Fitorja në Tbilisi është momenti ynë i Stambollit, një dëshmi e karakterit dhe shpirtit luftarak që përshkojnë qenien e djemve tanë, gjë që duhet ta ruajnë edhe në Tiranë. E megjithatë kjo kthesë e madhe ka merita të mëdha edhe të presidentit Armand Duka, të trajnerit Sylvinho, dhe gjithë stafit kuqezi që do t’i rreshtojmë në këtë analizë të revistës Newsbomb.al. Por, natyrshëm pyetja që lind është: A e ka stofin kjo skuadër të mbajë ritmin e Gjeorgjisë?
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 38-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg, datë 20 tetor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!