Ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës e luajtur në Grupin C të UEFA Nations League, mori një fund të papritur! Lojtarët shqiptarë të Përfaqësueses së Kosovës dolën nga fusha në minutën e 90+6, pasi huliganët nga tribuna nisën të brohorisnin “Serbia, Serbia”.
Gjithçka filloi pas një incidenti mes kapitenit Amir Rrahmani dhe lojtarit rumun Alibeci, kur mes lojtarëve shpërtheu një përleshje dhe tifozët rumunë nisën të brohorisnin "Serbi, Serbi!" Ndeshja u ndërpre për mbi 40 minuta para se të pezullohej.
Mirëpo, duket se përplasja ka vazhduar edhe në sallën e konferencave, ku përfaqësues të kombëtares së Rumanisë, staf dhe gazetarët vendas kanë tentuar të sulmojnë lojtarët shqiptarë të Përfaqësueses së Kosovës.
Nga pamjet që publikojnë mediat atje, shihet se avokati shqiptar i Kosovës, Taulant Hodaj u ka bërë ballë i vetëm sulmeve të tyre. Dikur ish-Sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ai shihet duke u përballur me personat që kanë tentuar të sulmojnë lojtarët, ndërsa vazhdimisht shprehet "Shame on you". Pra, "T'ju vijë turp".
Media sportive rumune "Sporturilor", raporton se trajneri i kombëtares vendase Mircea Lucescu po përgatitej të jepte deklarata për shtypin rumun, kur një zyrtar filloi të shtynte dhe ofendonte gazetarin e Antena 1. Më pas, pjesa tjetër e kolegëve të shtypit ndërhynë për të qetësuar skandalin.
Kështu raporton media vendase, por në fakt në pamje shihet tjetër gjë. Zyrtari të cilit ata i referohen, është Taulant Hodaj dhe ai nuk sulmon askënd, por ndalon rumunët t'u afrohen lojtarëve shqiptarë.
Në fushë kombëtarja e Luceskut ishte inferiore, aq sa është konsideruar dhe nga vetë rumunët ndeshja më e keqe e luajtur nga “Trikolorët” nën drejtimin e tij. Në anën tjetër lojtarët e Kosovës luajtën më mirë dhe krijuan raste të shumta për të shënuar, por u mohuan nga portieri Niță.
Sipas statistikave, Rumania nuk pati asnjë rast për të shënuar, ndërsa Përfaqësuesja e Kosovës ishte dukshëm superiore në numrin e goditjeve, 17-4.