Sylvinho ishte i pranishëm ditën e sotme në konferencën për shtyp. Braziliani foli për duelin me Ukrainën dhe shanset e kuqezinjve për të përfunduar të parët në grup.
50-vjeçari shprehet i bindur se skuadra do të luajë “all-in” për fitoren dhe se të luash me 2 sulmues nuk do të thotë domosdoshmërisht se mund të shënosh më shumë gola. Ndër të tjera theksoi se bashkë me tifozët do t’ia dalin të festojnë.
“Përgatitjet dhe gjendja e Asanit? Pas kësaj konference ne kemi një seancë stërvitore dhe nesër kemi gjithashtu. Do të shikoj të gjithë lojtarët dhe do iu jap direktivat e fundit. Sa i takon dëmtimit të Asanin më duhet të them se ende nuk dihet. Asani ka bërë rezonancat magnetike dhe më duhet të marr vesh edhe nga mjekët se cila është gjendja e tij. Sot do të zhvillojë disa ushtrime në fushë dhe më pas do të shikojmë se çfarë do të vendosim pasi të flasim me Asanin dhe mjekët.
Sulmi? Uzuni është një sulmues i dytë. Lojtarë i fortë dhe shfrytëzon mirë hapësira. Nuk është e thënë që nëse luajmë me 2 sulmues ke më shumë mundësi për të shënuar gola. Ne kemi përfituar më shumë me sulmues të dytë si Seferi dhe Uzuni. Gjithçka varet nga karakteristikat e lojtarëve dhe ne kemi alternativa si Hoxha dhe Muçi. Nuk preferoj të luaj me Daku dhe Tuçi në të njëjtën kohë, por do doja të luajë me njërin prej tyre dhe të ndihmonin sulmuesit e dytë.
Çdo gjë është e ndryshme dhe sigurisht kur krahason një sfidë të para 3 muajve me atë të nesërmen. Çdo gjë në grupin tonë është e hapur dhe është i balancuar. Jane ekipe të mira dhe kanë bërë paraqitje shumë të mirë në Europian. Ne para publikut tonë do të bëjmë gjithçka dhe në shtëpinë tonë kemi shansin për të fituar dhe për të tentuar kreun e grupit.
A i frikësoheni vendit të fundit? Mund të ndodhë çdo gjë. Çekia të dalë nga grupi dhe të jetë e fundit dhe Ukraina të jetë e para. Mes nesh dhe Gjeorgjisë mund të ndodhë çdo gjë. Të jemi të parët ose të fundit. Për sa kohë ne kemi shans për vendin e parë dhe ne do ta tentojmë deri në fund. Në fushë vetëm për të fituar. Kemi avantazh tifozët, të cilët na kanë mbështetur gjithmonë. Asnjëherë në fushë nuk do të hyjmë me frikë.
Mbrojtja? Ka një lloj ekuilibri në skuadër. Jemi mbrojtur mirë, por nuk kemi shënuar. Këtu nuk i referohem vetëm numrit 9-të, se kur arrin topi te sulmuesi është bërë një punë e mirë. Në 30 minutat e para kemi bërë disa gabime dhe do të përmirësohemi në këtë pjesë.
A keni ndonjë ritual për të fituar ndeshjen? Në fakt nuk jam unë lojtar. E kam diskutuar këtë me një person të afërt me mua. Unë për pak minuta do të bëj stërvitjen dhe do i them lotjarëve kjo është sfida jonë dhe duhet të bëjnë gjithçka. Edhe kur diçka nuk shkon mirë, unë i mbledh lojtarët dhe diskutojmë për gabimet dhe problematikat. Por nesër do të bëjmë gjithçka për fitoren”, ka deklaruar 50-vjeçari.