
Derbi solli shumë trazira në kryeqytet. Pati incidente që para nisjes së takimit dhe konfrontime me policinë. Ka patur dhe arrestime, si dhe procedime penale të disa shtetasve, emrat e të cilëve janë zbuluar.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka komunikuar së fundmi se janë proceduar penalisht disa shtetas për arsye të veprimeve të dhunshme në “Arenën e Demave”.
Në gjendje të lirë procedohen për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhërit të policicsë së rendit publik” dhe “Shpërdorim detyre” dy përfaqësues të FSHF-së dhe Partizanit.
Klubi i kuq ishte organizator për mbarëvajtjen e takimit të Superiores dhe ekipi kryeqytetas ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me kushtet dhe kooperimin me organin shtetëror të mbarëvajtjes së rendit.
Të proceduarit nga policia janë përkatësisht me postin e sekretarit të përgjithshëm të K.F. Partizani dhe delegati i ndeshjes që caktohet nga FSHF për çdo takim.
Ndërsa në flagrancë janë arrestuar 3 shtetas për kryerjen e disa veprave penale në kundërshtim me ligjin. Ata janë Egri Ismaili, Erald Vata dhe Lauren Ismaili. Në sy bie fakti se mes tyre gjendet Laureni, një futbollist profesionist.
29 vjeçari ka qenë pjesë e 'Demave" dikur, teksa shquhet për mbështetjen e flaktë në përkrahje të skuadrës si një spektator i thjeshtë. Lojtari i arrestuar është pa një klub futbolli aktualisht, pasi mbylli aventurën me Lushnjën.
Vetë Policia e Shtetit në komunikimin e saj apelon për bashkëpunim me Partizanin dhe thekson se përpjekjet kanë qenë maksimale për të mbajtur situatën në kontroll, pavarësisht infrastrukturës jo dhe aq të përshtatshme.