Momente terrori ka përjetuar ish-fituesi i Topit të Artë dhe familja e tij mbrëmjen e djeshme. Raportohet se Roberto Baggio ka rënë pre e një grabitje të dhunshme mbrëmjen e së enjtes.
Teksa ish-fituesi i Topit të Artë dhe familjarët e tij po ndiqnin ndeshjen Spanjë-Itali, pesë persona të maskuar dhe të armatosur u futën në vulën e tij në Altavilla Vicentina.
Ish-numri 10 i italianëve sipas asaj që mediat vendase kanë raportuar tentoi të përballet me grabitësit ku u përlesh fizikisht me njërin prej tyre. Mirëpo, pas një përleshje të shkurtër grabitësi e ka goditur Baggion me pjesën e pasme të armës në ballë, duke i shkaktuar një plagë të thellë.
Më pas 57-vjeçari, së bashku me familjarët, janë mbajtur peng në një dhomë nga grabitësit për 40 minuta me qëllim që të vidhnin vilën. Përgjatë kësaj kohe kriminelët kanë kthyer përmbys çdo dhomë, duke vjedhur orë, bizhuteri dhe para, por ende nuk është përcaktuar vlera e sendeve të vjedhura.
Pasi grabitësit u larguan nga vila, Baggio theu derën dhe telefonoi policinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën patrullat e Policisë si dhe ambulanca. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Arzignano, ku u trajtua nga mjekët dhe doli nga andej me disa qepje në ballë. Ndërkohë, sa i përket familjarëve të tij fatmirësisht askush nuk u lëndua, përveçse përjetuan momente frike dhe tmerri.