Akil Gjakova, shqiptari kampion europe në sportin e xhudos prej disa ditësh është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Përmes një njoftimi publik, autoritetet njoftuan se sportisti 28-vjeçar akuzohet për dhunë në familje. Xhudisti i njohur kosovar, Akil Gjakova është denoncuar nga bashkëshortja e tij për dhunë pasi ai kishte kërkuar ndarjen nga bashkëshortja, por kjo e fundit i është përgjigjur me një kundërpadi, ku mes tjerash, ka deponuar se ai ka ushtruar dhunë.
Por përmes një komunikate, Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e xhudistit Akil Gjakova.
Gjykata i ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaj.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.GJ, i dyshuar për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktoj masën e paraburgimit. Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund t’a dënojë personin e mbrojtur me gjobë.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Më 16 Dhjetor 2023, Akil Gjakova fitoi medalje ari në Kampionatin Europian të Xhudos duke u shpallur më i miri në Europë.