Kombëtarja shqiptare e mbylli aventurën e saj në Euro 2024. Kuqezinjtë me në krye Sylvinhon ia dolën që nga Gjermania të largohen me kokën lart, teksa pas 3 ndeshjeve të grupit morën vetëm 1 pikë.
Por pavarësisht kësaj, paraqitja e skuadrës premton për të ardhmen dhe ka kënaqur tifozët, me këto të fundit që mbushën tribuna, rrugë e sheshe në Gjermani. Pikërisht timonieri i Kombëtares ka reaguar në rrjetet sociale.
Braliziani ndjehet më shumë se kurrë krenar për këtë ekip, ndërsa nënvizon se luftuan deri në fund dhe për çdo pikë. Ndër të tjera ka shkruajtur se tifozët ishin një mbështetje e madhe e skuadrës dhe që Shqipëria largohet nga Gjermania më e fortë se sa mbërriti.
“Dje mbyllëm pjesëmarrjen tonë në Euro 2024.
Jam shumë krenar për atë që i treguam vetes dhe tifozëve të futbollit.
Ne ishim një ekip që dhamë gjithçka deri në fund, që luftuam për çdo top, për çdo pikë. Ne ishim pasqyra e popullit shqiptar.
U larguam duke u ndjerë krenarë për atë që bëmë.
Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ishin me ne në këtë kompeticion dhe kontribuan në performancën tonë.
Faleminderit edhe tifozëve, të cilët shkëlqyen në tribunat e stadiumeve dhe na ndihmuan në këtë rrugëtim. Shqipëria largohet më e fortë nga sa mbërriti”, ka shkruar Sylvinho në rrjetet sociale.
View this post on Instagram