Hapësire reklamuese

Sporti

Kuqezinjtë luajnë sonte ndeshjen vendimtare me Spanjën, reagon Edi Rama: Fitorja e pamundur, por topi është i rrumbullakët! Le ta shijojmë

Shkruar nga Newsbomb
Kuqezinjtë luajnë sonte ndeshjen vendimtare me Spanjën, reagon
Foto e shperndare nga Edi Rama, kryeminister i Shqiperise

Kryeministri Edi Rama ka bërë një koment për ndeshjen e sotme të Shqipërisë me përfaqësuesen spanjolle, e cila është dhe vendimtare kuqezinjtë sepse u duhet patjetër fitorja për të vazhduar ëndrrën në fazën tjetër të Europianit.

Ai thotë se misioni në letër është 100% i pamundur, sepse përballemi me skuadrën më të fuqishme të grupit, por topi është i rrumbullakët dhe gjithçka mund të ndodhë në fushën e stadiumit të Düsseldorfit.

"Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë", shkruan Rama.

Kryeministri shqiptar thekson se cilido që të jetë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive.

"Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen", vijon ai.

Lexoni mesazhin e plotë të Edi Ramës në mbështetje të Kombëtares:

Forca Shqipe

Askush nuk do ta besonte me mendje - me zemër tjetër punë - që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.

Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen.

Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë.

Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO2024-ës. #KrenarpërShqipërinë

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese