Nga Retin TOKA
E ndërsa unë isha vendosur para televizorit mbërthyer nga kërshëria, në sallën e ndriçuar të Nyonit, ku emocionet dhe tensioni ndërthureshin si kurrë më parë, Shqipëria priste të mësonte fatin e saj për kualifikueset e Botërorit 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Midis ulësëve të rezervuar për federatat, presidenti Armand Duka dhe trajneri Sylvinho ishin të pranishëm, të heshtur, por me shikime që flisnin më shumë se fjalët. Ky ishte momenti i së vërtetës. Shumë skenarëudhëtonin në mendje, por ende nuk ishte zbardhur drita e plotë për të arritur në destinacionin final.
Para tyre ishin të rreshtuar shortuesit që dukeshin si gjyqtarë që kishin në duar fatin e qindrave lojtarëve që do të vrapojnë për të arritur të parët finishin. Kur goglat nisën të shfaqnin emrat e skuadrave, ndjesia e pritjes ishte si një elektricitet në ajër. Secili grup që formohej dukej si një mozaik ëndrrash dhe sfidash.
Minutat pasonin njëri-tjetrin pa ndjerë për të arritur në orën e plotë. Çasti ynë erdhi. Shqipëria do të ishte në grupin K. Por, cilat do ta shoqëronin? Anglia ishte e para që ra në sy. Simbol i një fuqie të pamohueshme, kombi që çdo lojtar ëndërron ta sfidojë. Më tej tabela u mbush me Serbinë, Andorrën dhe Letoninë. Çfarë shorti! Shqipëria dhe goglat janë me të vërtetë në një marrëdhënie të komplikuar.
Një përzierje e fuqisë dhe shpresës, e historisë dhe mundësisë. Kulmi arriti pikun kur fati qëlloi sërish me Serbinë në grup. Një përfaqësuese me të cilën historia jonë futbollistike dhe jo vetëm, ka qenë gjithmonë një rrëfim kompleks. Kujtimi i ndeshjes së Beogradit të 2014-tës është ende i freskët dhe i gjallë në mendjet e tifozëve. Megjithatë vitet kanë lënë pas të shkuarën dhe tanimë flitet vetëm për futboll.
Andorra dhe Letonia, dy Kombëtare që mund të duken më të vogla në letër, por që bartin me veten thirrjen për kujdes dhe respekt.
“Çdo short sjell historitë e tij, por ky grup është më shumë se një short. Unë e di historinë me Serbinë, por ne flasim vetëm për futboll. Ky është një test i karakterit të kombëtares shqiptare,” tha Sylvinho, me një buzëqeshje të lehtë, por të vendosur.
Fjalët e tij tingëllonin si një premtim për luftë e pasion, për ndeshje ku gjithçka do të lihet në fushë. Presidenti Duka, nga ana e tij, dukej sikur shikonte përtej sallës, drejt flamurit kuq e zi që valëvitej krenar. “Mund të na sillnin ndonjë gjë më të mirë goglat, por kohët e fundit nuk kanë qenë shumë dashamirëse me ne. Na mbetet vetëm të punojmë shumë” tha ai.
Shorti nuk ishte vetëm një ngjarje për të ndarë skuadrat. U duk si një thirrje për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve. Por, sa janë mundësitë reale që Shqipëria të shkojë më tej? Kualiteti jeton dhe është rritur duke u bërë i madh gati për t’i vënë “shpatullat” edhe këtij botërori.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 40-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg prej datës 20 Dhjetor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!