
Distria Krasniqi ka shkëlqyer sërish në skenën ndërkombëtare, duke fituar për herë të tretë titullin e kampiones së Evropës në xhudo. Medalistja olimpike e Kosovës është kurorëzuar me medalje të artë në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi.
Në një finale të fortë dhe emocionuese në kategorinë deri në 52 kilogramë, Distria ka mposhtur italianen e njohur Odette Giuffrida.
Rruga e Krasniqit deri te finalja është përshkuar me tri fitore radhazi. Fillimisht ka mposhtur serben Milica Nikoliq, më pas holandezen Naomi Van Krevel e në gjysmëfinale spanjollen Ariane Toro Soler.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka vlerësuar se kjo është një tjetër arritje madhështore për Disin, trajnerin Toni Kuka dhe Federatën e Xhudos së Kosovës, të cilët vazhdojnë të sjellin krenari të madhe për vendin në arenën ndërkombëtare.