Vetëm dy ditë larg nisjes së edicionit të ri futbollistik shqiptar. Të dielën në orën 20:00 luhen dy ndeshjet e para të Kategorisë Superiore. Egnatia kampione sfidon Dinamon në transfertë dhe Teuta – Bylis janë sfidat që çelin sezonin e ri për t’i lënë staftën tre ndeshjeve të tjera të nesërmen.
Me interes të lartë për publikun pritej transmetuesi televiziv i këtij sezoni dhe pyetjet “kush e jep ndeshjen” ishin bërë të zakonshme. Tashmë merr fund enigma teksa Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka marrë përsipër transmetimin e kampionatit shqiptar.
RTSH dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë arritur marrëveshjen për rikthimin e futbollit në televizionin kombëtar shqiptar, LIVE dhe FALAS për të gjithë. Është çështje orësh deri sa të vijë edhe komunikimi zyrtar nga FSHF për të zbardhur më shumë detaje mbi këtë marrëveshje shumë të rëndësishme.