Shqipëria do të sfidohet me Kroacinë në orën 15:00. Duel shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e kuqezinjve në Euro 2024.
Sylvinho prej ditësh ka punuar për këtë takim, i cili është cilësuar si “jetik” për kuqezinjtë. Brazilini ka shuar çdo dilemë sa i takon 11-shen, ndërsa ka bërë disa ndryshime në krahasim me sfidën me Italinë.
Kështu në stol është ulur Seferi dhe vendin e tij e ka marrë Laçi. Rey Manaj e nis si titullarë, teksa Broja do të duhet të ulet në stol.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Ajeti, Gjimsiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Bajrami, Asani, Manaj. Trajner: Sylvinho.
Kroacia: Livakovic, Stanisic, Sutalo, Gvardiol, Perisic, Modric, Brozovic, Kovacic, Majer, Petkovic, Kramaric. Trajner: Zatko Dalic.
Sakaq, Hamburgu është veshur kuqezi sot nga tifozët shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të botës për të mbështetur Kombëtaren e tyre të zemrës.
Mijëra bij e bija të Shqipërisë kanë vërshuar në rrugët e Gjermanisë, me flamuj të shqiponjës dykrenare dhe me plisa në kokë shoqëruar me këngë e valle shqiptare, për të suportuar kuqezinjtë që do të zbresin sot pasdite në fushën e blertë.
Sy të mbushur me gëzim, lot, brohorima të dala nga shpirti kumbojnë fuqishëm emrin dhe historinë e vendit të vogël, por me zemrën e madhe, Shqipërisë.
E gjithë pamja e ofruar ngjan me një lum kuq e zi që vërshoi me shpejtësi nga Dortmundi për në qytetin tjetër të Gjermanisë, Hamburgun për të pushtuar në mënyrë të furishme zemrat e miliona shqiptarëve nëpër botë.
Ndonëse na ndajnë pak orë nga ndeshja me Kroacinë, tifozët duket se po e shijojnë në maksimum Europianin, ndërsa po dhurojnë një atmosferë magjike në rrugët e qytetit gjerman.
Sfida mes Shqipërisë dhe Kroacisë luhet sot në orën 15:00. Kjo është përballja e dytë e Shqipërisë, pas asaj me Italinë që u mbajt në Dortmund, ku Kombëtarja pësoi humbje në rezultatin 1 me 2.