Hapësire reklamuese

Sporti

Big Albania, Kombëtarja shqiptare shkruan historinë në Gjermani (Rekordet dhe statistikat)

Shkruar nga Newsbomb
Big Albania, Kombëtarja shqiptare shkruan historinë në Gjermani
Revista Newsbomb

Nga Retin Toka

As në ëndrrat më të bukura nuk do të mund të kishim imagjinuar një kombëtare shqiptare kaq dinjitoze, kaq të mrekullueshme, kaq shumë kurajoze duke luajtur si e barabartë me kampionët e Europës apo me ata që kanë provuar ndjesinë e piedestalit mbi gjithë botën. Dy ngjyra, kuqezi nuk u ndalën për asnjë moment sikurse krahët e Shqiponjës në fluturim drejt suksesit, paçka se përpara kishin male të larta. Djemtë e kombëtares shqiptare u barazuan, luajtën njëjtë madje duke i vënë në vështirësi të madhe aq sa i bënë të pyesnin veten: “Ajo Shqipëria e vogël është?!” Ndoshta disi të tkurrur prej emigrimit, po sa e madhe në ato troje gjermane ku nuk u menduan dy herë dhe vunë rekorde që askush s’i kishte provuar.

Nëpërmjet një udhëtimi të mrekullueshëm në analizën e revistës Newsbomb.al do të shohim se si Nedim Bajrami u fut në librin e Europianit apo Klaus Gjasula provoi dhe bëri diçka që askush s’e kishte cekur kurrë. Do të shquajmë se si grinta e trajnerëve tanë kushton kartona apo thirrjet e flakadanët nuk i shpëtojnë kurrë syrit kritik të UEFA-s. Parlamenti, qeveritë vendore e gjithëkush u zhvendosen drejt shtetit gjerman. Një detaj interesant ishte se Italia çoi në stadium kryeministrin Edi Rama, ndërsa Albin Kurti ishte në Gjermani për Kroacinë dhe Spanjën. Nuk mund të lihet pa përmendur puna e palodhur jo vetëm e stafit teknik, por edhe presidentit Armand Duka që për 25 ditë qëndroi mbi kokë lojtarëve për t’u plotësuar si babai fëmijës gjithçka që u duhej. Ndiqni dhe shijoni panoramën e këtij udhëtimi të mrekullueshëm përmes analizës në revistën Newsbomb.al.

25 DITË MBI KOKË, ASKUSH SI ARMAND DUKA

E ndërsa nëna ka detyrën të kujdeset për të rritur fëmijën, babai është ai që gjithmonë do të mendojë dhe do të jetë në gatishmëri për t’i munguar kurrë asgjë. Vigjilent në çdo moment, kurdoherë kur e thërret detyra. Kështu mund ta përshkruajmë presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën. Kreu i FSHF-së qëndroi plot 25 ditë me radhë pranë skuadrës sonë përfaqësuese, sa në fazën përgatitore në Austri e po ashtu edhe në Gjermani. Investim i jashtëzakonshëm. Nuk u largua në asnjë moment vetëm e vetëm që lojtarëve dhe stafit të kuqezinjve mos t’u mungonte kurrë asgjë.

Edhe dy yjet e tij, dy nipat e vegjël shkuan dhe e takuan aty ku qëndronte presidenti i kuqezinjve. Pra kjo tregon se sa i përkushtuar ishte Duka në këto ndeshje europiani. Investim i jashtëzakonshëm, si në aspektin financiar ashtu edhe në kohë fizike. Fryma pozitive në grup, festë atëherë kur kishte, këtë herë presidenti nuk u kursye aspak. Puna fantastike mban emrin e tij, që në krye të herës që guxoi dhe zgjodhi një trajner si Sylvinho që nuk kishte pasur eksperiencën e duhur për të drejtuar një kombëtare. Bast i fituar.

ARBËR HOXHA & MEDON BERISHA, GJETJET E SYLVINHOS

E ndërsa të gjithë po prisnin të ishin pjesë e Europianit, lojtarët që kontribuan për kualifikimin në EURO 2024, trajneri i Kombëtares zgjodhi t’i çudiste të gjithë. Me një vendosmëri të jashtëzakonshme, bëri pjesë të kuqezinjve Medon Berishën. Një emër jo shumë i njohur për opinionin publik, por i shquar shpesh nga ai sportiv. 20-vjeçari luan në Itali me Leçen e Ylber Ramadanit. Mosha e re nuk i ka dhuruar shumë minuta në fushë, megjithatë Sylvinho i ka besuar një vend në listën me 26 lojtarë. Të gjithë e shohin si e ardhmja e kuqezinjve, por kjo do të shihet vetëm në vitet në vazhdim. Minutat në miqësoret e zhvilluara para EURO 2024, treguan finesë në këmbët e 20-vjeçarit. Sikurse me Jasir Asanin, ky është tjetër bast nga braziliani i kombëtares shqiptare, që sigurisht të gjithë po presin me padurim ta fitojë. E sigurisht këtu zë vend dhe Arbër Hoxha, talenti që me pak minuta bëri për vete gjithë tifozët shqiptarë. Rrjetet sociale shpërthyen duke shkruar në çdo lloj gjuhe të mundshme për Sylvinhon: “Mister ku do ta futesh në formacion?”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e tridhjetekatër të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot (27 Qershor) dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese