“Botërori 2030” duket larg, por që tani ka nisur një garë e fortë se cili vend do të presë finalen e këtij turneu.
FIFA ka vendosur që ky edicion të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, ndërsa ndeshja hapëse do të mbahet në Amerikën e Jugut për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Parës së Botës, me Argjentinën, Paraguain dhe Uruguaijin në rolin e organizatorëve.
Maroku, përmes një strategjie ambicioze, ka shpallur sfidën ndaj Spanjës për organizimin e finales. “Iberikët” kanë propozuar një rinovim të legjendarit “Santiago Bernabeu”, ndërsa marokenët kanë paraqitur projektin për një stadium të ri, më të madhin në botë, që do të ndërtohet në Kasablanka.
Grand Stade Hassan II në Casablanca, Marok, parashikohet të jetë stadiumi më i madh i futbollit në botë, me një kapacitet prej 115,000 vendesh pikërisht në kohën që kombi afrikan do të bashkë-organizojë Kupën e Botës FIFA 2030.
Sipas parashikimeve të qeverisë së Marokut, ky impiant do të kushtojë më shumë se 500 milion euro dhe do të kontribuojë ndjeshëm në konkurrencën për të marrë finalen e “Botërorit 2030”.
Me këtë projekt ambicioz, Maroku ka shfaqur dëshirën e tij për të sfiduar Spanjën dhe për të vendosur emrin e tij në histori si vendi që do të presë këtë ngjarje të rëndësishme sportive. Tani, të gjithë sytë janë kthyer drejt këtyre dy vendeve, duke pritur për të parë se kush do të dalë si fitues në këtë garë emocionuese.