Gjykatat e Elbasanit caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy rusët dhe ukrainasin që tentuan të hynin në Uzinën e Armëve në Gramsh pasditen e së shtunës.
Avokati mbrojtës i ukrainasit, Saimir Visha, në përfundim të seancës u shpreh se klientit të tij iu mohua gjuha zyrtare gjatë marrjes në pyetje nga trupa gjukuese.
Sa i përket akuzave Visha tha se policia dështoi pasi akuza ishte regjistruar për 5 vepra penale dhe aktualisht kanë mbetur dy.
“I është mohuar gjuha. Nuk mundet të pyetet ai në gjuhën ruse kur gjuha e tij zyrtare është ukrainase. Personi që është shtetasi huaj pyetet në gjuhën amtare. Kërkuam pavlefshmërinë e deklarimit të tij.Dy të tjerët kanë kërkuar avokatë të zgjedhur, gjykata i ka caktuar kryesisht.
Në lidhje me akuzat, ju e dëgjuat dhe vetë që nga ana e policisë dështoi. Ishte regjistruar për 5 vepra, aktualisht janë dy vepra. Nuk është armë kimike. Nuk ka fakt penal kur fotot janë bërë në një objekt që nuk ka asnjë sinjalistikë. Në mënyrë kategorike klienti im nuk ka pasur të bëjë me shërbimet ruse”, deklaroi Visha.
Ai gjithashu tha se dy prej të arrestuarve kanë kërkuar që të përfaqësohen nga avokatët e tyre, por një gjë e tillë u është mohuar, duke iu caktuar avokatë shqiptarë.