Pas akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha se qeveria po fsheh numrin e vërtetë të viktimave nga COVID në vendin tonë, ka reaguar edhe ministrja socialiste Elisa Spiropali.
Por Spiropali nuk është mjaftuar me një reagim të thjeshtë, pasi është kundërpërgjigjur me akuza të “radikalizuara”, duke u shprehur se Basha po plotëson radhët e vdekura të PD me viktimat e COVID-it.
“Çiçikovi Luli Basha ka lojtur nga ment' e kokës. Po mundohet të plotësojë radhët e vdekura të Opozitës me viktimat e Covid-it.
Mos e dëgjo! Mbaj maskën! Ruaj distancën! Së bashkë ia dalim”, shkruan Spiropali.
Por kush është Çiçikovi që përmend Spiropali?
Çiçikovi është personazhi kryesor i librit “Shpirtra të Vdekur” nga novelisti rus Nikolai Vasilevich Gogol”.
Ky personazh njihej si një “dallkauk” i kohës, i cili vendos të pasurohet nëpërmjet blerjes së “shpirtrave të vdekur”. Ai bredh kudo nëpër provinca, fshatra e qytete të Rusisë me shqetësimin e vetëm për të siguruar kapital nëpërmjet “shpirtrave të vdekur” të tipit Manillov, Korobocka, Nazdrijov, Sobakievic dhe Pljushkin.
Çiçikovit i pëlqen të bien sa më shumë epidemi, të vdesin sa më shumë njerëz, të ketë sa më pak të korra në bujqësi me qëllim që ky dallkauk të përfitojë sa më shumë kapital, nga fatkeqësia e të tjerëve!