Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar për situatën kaotike të shkaktuar ditën e sotme gjatë seancës plenare.
Spiropali shkruan se pavarësisht gjithë situatës, ajo që e ka indinjuar më shumë janë fjalët e kolegëve të opozitës që fyenin dhe shanin burrat dhe gratë e Gardës së Republikës.
Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:
Ajo që më indinjoi më shumë sot që në hyrje të sallës së seancave në Parlament ishin fyerjet e shfrenuara ndaj burrave dhe grave të Gardës së Republikës.
Çdo fjalë që kolegëve të opozitës copë e çikë ua rroku mendja, e lëshuan në drejtim të punonjësve te Gardës, që paguhen me pagë modeste e punojnë shpesh jashtë orarit duke vënë në rrezik edhe shëndetin e tyre, për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucionet e rëndësisë së veçantë.
Kjo opozitë që nuk lë rast pa derdhur lot krokodili për shqiptarët e ndershëm e njerëzit e punës, fyen, përçmon, godet, punonjësit e Gardës me të ardhura shumë më modeste se ata, për të mbrojtur me forcë të verbër kryeplakun, familjen e tij, e pasuritë e tyre.
Ky nuk është moral politik!
Kjo s'është drejtësi!
Këto nuk janë të drejta kushtetuese!
Këto janë akte dhune, vepra penale, dhe pafytyrësi njerëzore që përdhosin mjedisin e bashkëjetesës demokratike, cënojnë sigurinë, dëmtojnë imazhin dhe rreken të shkatërrojnë parlamentarizmin dhe institucionet e vendit.
Arrakatja e opozitës vetëm nëpërmjet dhunës është ogurzezë pikë së pari për vetë opozitën, por edhe për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që është lodhur nga pasojat e dhunës, të cilat janë aq të freskëta në mbamendjen e tyre.
Filozofi francez Zhak Mariten thotë se çdo protestë duhet të jetë jo e dhunshme dhe pikërisht këtu qëndron edhe forca e saj.
Publiku do i dënojë, siç i ka dënuar, me votë.
Për vepra penale të konsumuara në sy të të gjithëve, drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.