Hapësire reklamuese

Aktualitet

SPAK zbardh skemën e tjetërsimit të vijës bregdetare, akuza për "Rrumin" e Shijakut; Gjykata sekuestron 400.000 m2 tokë në Gjirin e Lalzit

Shkruar nga Newsbomb
SPAK zbardh skemën e tjetërsimit të vijës bregdetare, akuza
Prokuroria Speciale ka dalë me njoftim zyrtar për tjetërsimin e vijës bregdetare në Gjirin e Lalzit, ku në total me vendim të Gjykatës së Posaçme janë sekuestruar mbi 400.000 m2 tokë. Në kërkim është shpallur "Rrumi" i Shijakut, shtetasi Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi. Siç ka raportuar më herët newsbomb.al, Laho akuzohet se në bashkëpunim me Irgen Kërçukun, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit, kanë falsifikuar mijëra m2 tokë në Gjirin e Lalzit. Në duart e prokurorëve është një video e regjistruar që tregon pikërisht pazarin e tyre. Iregen Kërçuku është shoqëruar nga Policia dhe Gjykata e ka lënë atë në masë sigurie "Arrest në shtëpi", ndërsa Aleksandër Laho nuk është gjetur. Për të është dhënë masa "Arrest në burg". Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Aleksandër Lahos dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës, kur u analizua celulari i të fortit të Shijakut. Sipërfaqja e sekuestruar me vendim të GJKKO
  • Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200.000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
  • Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203.100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.
Lexo edhe: SPAK pret urdhër-arrest për “Rrumin” e Shijakut, kërkohet për tjetërsimin e mijëra m2 në Gjirin e Lalzit

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal. Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.). Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës. Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës. Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës. Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu