Një ditë pasi SPAK nisi hetimet zyrtarisht ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi, u janë sekuestruar celularët e vartësve të tij. Klosi po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Gjithashtu, burime për gazetaren Klodiana Lala bëjnë me dije se nga korriku 2023 Klosi dhe vartësit e tij janë vëzhguar dhe përgjuar nga Prokuroria e Posaçme. Deri më tani nuk ka informacion nëse është sekuestruar edhe celulari i Ceno Klosit.
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi për veprat penale korrupsion dhe shpërdorim detyre. SPAK njofton se hetimet ndaj Klosit u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike një më 3 korrik 2023 dhe kallëzimi i dytë nga PD është bërë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.
SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm. PD në kallëzimet e bëra e akuzon Klosin për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, – njoftoi prokuroria.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 7 muaj pas kallëzimit të parë opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi, raporton News 24.
Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.