Hapësire reklamuese

Aktualitet

SPAK preu fletë-arrestet për 2 ish-komisionerët e vdekur, njësoj si procesi ndaj Papës para 1 mijë vjetësh (HISTORIA)

Shkruar nga Newsbomb
Klodian Tomorri

Nga Klodian TOMORRI

Titulli i autorit: Synodus Horrenda e Drejtësisë së Re

Në vitin 897, Kisha Katolike nisi një proces gjyqësor të paprecedentë në historinë e njerëzimit duke gjykuar një të vdekur. I akuzuari ishte Papa Formosusi, që akuzohej se kishte shkelur ligjet e Kishës gjatë ushtrimit të detyrës.

Në krye të trupës gjyqësore, ishte pasardhësi i tij Papa Stefani VI, i cili urdhëroi zhvarrosjen e Formosusit dhe sjelljen e tij para gjyqit Papal për gjykim. Në përfundim të gjyqit, i cili u pagëzua me emrin Synodus Horrenda, Formosusi u shpall fajtor. Vendimi urdhëroi zhveshjen e tij nga të gjithë titujt, ndërsa trupi i ish Papës u gjymtua duke u hedhur në lumin Tibër.

Ky është procesi i parë gjyqësor i dokumentuar në histori ndaj një përsoni të vdekur, që kishte si motiv hakmarrjen politike. Hetimi i njerëzve të vdekur ka ndodhur vetëm pak herë në histori. Në jurisprudencën moderne kjo është një praktikë e padëgjuar, veçanërisht në vendet e civilizuara. Por në regjimet antidemokratike, të cilat nuk respektojnë të drejtat themelore të njeriut, raste të tilla kanë ndodhur edhe vonë.

Në vitin 2012, Rusia akuzoi dhe çoi në gjyq një avokat të quajtur Sergei Magnitsky. I vdekur prej 3 vitesh në qeli nga torturat e autoriteteve, Gjykata e shpalli Magnitskyn fajtor dhe e dënoi post mortem për evazion fiskal. Gjyqi u cilësua si një turp nga të gjitha organizatat humanitare dhe qeveritë e vendeve të civilizuara duke çuar madje në tensionimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë.

Praktika e hetimit, gjykimit apo fajësimit të personavë të vdekur është ndaluar nga Kisha Katolike shumë shekuj më parë. Në Shqipëri ajo është e padëgjuar. Deri dje, kur SPAK preu flëtëarrestet për dy ish komisionerët zgjedhës të ndarë nga jeta.

Shumë mund të mendojnë se ajo e SPAK është një aksident, që nuk ka motive politike nga pas. Por edhe nëse ky arsyetim do të merrej i mirëqenë, pikëpyetjet që ngrihen mbi cilësinë dhe paanësinë e hetimeve të SPAK janë të shumta. Nëse një prokuror nuk e di se personi që po heton është i vdekur, çfarë hetimesh ka kryer ai? Nëse nuk janë bërë hetime, mbi bazën e cila provave u pre fletëarresti për dy ish komisionerët e ndjerë?

Është e qartë se më shumë se sa një hetim i pavarur dhë gjithëpërfshirës, ai i dosjes 339 ngjan më një farsë, e cila synon të kënaqë dëshira politike. Njësoj si procesi ndaj Papës para 1 mijë vjetësh apo ai i avokatit rus. Në këtë pikë shqetësimi i madh që duhet të kenë të gjithë është vetëm një: Nësë kjo është më e mira e Drejtësisë së Re, sa gjasa ka që kjo prokurori të hetojë me seriozitet çështjet  e mëdha të korrupsionit në Shqipëri?

Reforma në Drejtësi dhe SPAK si pjesë përbërëse e saj ju shitën qytetarëve si shpresa se më në fund në këtë vend do të ketë drejtësi dhe pandëshkueshmëria do të marrë fund përgjithmonë. Por shpresat e Reformës po njollosen me shpejtësi nga turpi i arrestimit të të vdekurve. Një gjë që nuk ka guxuar ta bëjë as Enver Hoxha dhe as Stalini.

LEXO EDHE SKANDAL/ ‘Arrest pas vdekjes’, 2 nga komisionerët e dosjes 339 kanë ndërruar jetë muaj më parë (EMRAT)

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll