SPAK ka njoftuar Jamarbër Malltezin, se këtë të mërkurë do të merret në pyetje si person nën hetim.
Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala, e cila gjithashtu bën me dije se ish-kryeministri Sali Berisha do të pyetet ditën e enjte.
Më 21 nëntor të këtij viti Gjykata e liroi Malltezin nga burgu, pasi ndryshoi masën e sigurisë në “arrest shtëpie”.
Malltezi akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e Kompleksit Partizani. Më herët Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit, i cili kërkoi kthimin e celularit, kompjuterave dhe disa dokumentave që iu sekuestruan në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani.
Malltezi ka përfituar sipas SPAK, 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër asoj kohe sa i takon kompleksit Partizani.
Në bashkëpunim me Fatmir Bektashin, Malltezi është paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.
Bektashi, ka ndihmuar Malltezin që nëpërmjet “Homeplan” sh.p.k., të realizonin fshehjen e origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Malltezit, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Po ashtu SPAK ka vënë në sekuestro preventive 25 pasuri të Malltezit, ndër të cilat edhe vilën në Gjirin e Lalëzit. Gjithashtu i janë sekuestruar edhe 6 llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Sakaq, nga 30 dhjetori i vitit të kaluar, Sali Berisha ndodhet zyrtarisht në arrest shtëpie. 1 ditë para ndërrimit të viteve ish-kryeministrit iu dha masa “arrest shtëpie” si dhe iu caktua të komunikojë vetëm me bashkëshorten e tij, Lirie Berisha dhe me asnjë person tjetër.
Berisha është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhej ndër të tjera në vendimin e GJKKO-së më 30 dhjetor 2023.