Prokuroria e Posaçme ka vendosur të anulojë një tender për blerjen e pajisjeve operative për mbështetjen e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët janë në terren duke kryer hetime, përgjime apo veprime të tjera të punës së tyre hetimore.
Newsbomb.al mëson se bëhet fjalë për një tender me vlerë 321 milionë lekë të vjetra, me objekt kontrate: “Blerje sisteme/pajisje të teknikës operative” Loti i Dytë “Blerje Sistem Teknologjik Hardware dhe Software për suportin e hetuesve në terren”.
Në dokumentin zyrtar, bëhet me dije se anulimit të tenderit/prokurimit është sepse asnjë nga kompanitë që janë paraqitur për të marrë pjesë, nuk përmbush kriteret.
"Asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e caktuara në dokumentet e tenderit", thuhet në dokument, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme si Autoritet Kontraktor do të marrë të gjitha masat e nevojshme për rihedhjen e procedurës së klasifikuar të prokurimit.
Mesa duket, edhe ky institucion i ri i drejtësisë është në hall për gjetjen e profesionistëve për përmbushjen e detyrave të veta, ashtu si institucionet e tjera private dhe publike.
Beteja për kapital njerëzor dhe profesionistë të kualifikuar po kthehet në një sfidë për Shqipërinë dhe shumë vende të botës.
Për ironi, i takon SPAK që të bëjë drejtësinë që shqiptarët presin, në mënyrë që të kthejë shpresën dhe besimin se ky vend bëhet, e që të gjithë ata të rinj profesionistë të rikthehen në Atdhe, për të kontribuuar për Shqipërinë e tyre...
Njoftimi per anulimin e tenderit nga SPAK