
Një grup oficerësh të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas një urdhri të SPAK-ut, kanë mësyrë dy ditë më parë në Bashkinë e Kuçovës.
Sipas avokatit Arben Llangozi, Prokuroria e posaçme dhe “BKH” kanë sekuestruar disa dosje të tenderave, ku i përfshirë është kreu i Bashkisë së Kuçovës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai pretendon se Kreshnik Hajdari do të përfundojë në pranga për shkak të vjedhjeve që ka bërë.
“Telashet për kryetarin e bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari nuk kanë të sosur/ Prokuroria e posaçme dhe “BKH” sekuestrojnë dosjet e tenderave korruptiv
Pak kohë më parë unë në cilësinë e avokatit mbrojtës të një komuniteti të fshatit Lumas të bashkisë Kuçovë, kamë bërë disa kallzime penale në “SPAK” kundër afreave korruptive të Hajdarit të Kuçovës me oligarkë të ndryshëm.
Prokuroria e posaçme dhe “BKH” dy ditë më parë kanë zbarkuar në kuçovë dhe kanë sekuestruar disa nga dosjet e tenderave korruptiv.
Së shpejti Kreshnik Hajdari pritet të arrestohet dhe të japin përgjegjësi për të gjitha aferat që ai është kallzuar sëbashku me oligarkët të cilët kanë vjedhur Shqipërinë,” shkuan avokati.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë i pandehur nga SPAK. Ai akuzohet për “falsifikim të formularit të dekriminalizimit”, pavarësisht se KQZ nuk i ndërpreu mandatin. Kjo vepër penale, sipas Kodit Penal dënohet me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.
Prokuroria njoftoi KQZ se Hajdari është i dënuar nga shteti grek me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë. Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.
Hajdari, mesa duket gjatë momenteve të vështira që po kalonte vendin, si shumë shqiptarë të tjerë ka tentuar të emigrojë ilegalisht në Greqi, por është kapur dhe dënuar nga gjykata në Janinë, në atë kohë së bashku me 18 persona të tjerë.
Një ditë më parë gjatë seancës kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati dhe se vepra penale për kalim të paligjshëm të kufirit për të cilën ishte dënuar, nuk është një pengesë ligjore për të marrë një funksion publik.
“Detyrimi i subjekteve është të deklarojë shkaqet. Nëse mungojnë shkaqet nuk ka asnjë detyrim që të deklarojë. Subjekti vetëdeklarues ka paraqitur disa të dhëna në formular. Ai nuk ka paraqitur një të dhënë, ku vendimi është penal në territorin grek. Rëndësi ka fakti që kjo e dhënë nuk e përfshin në kushtet e ndalimit. Ngelet diskutimi që ai nuk e ka deklaruar, por ka pasur detyrimin që ta deklarojë. Por vlen të thekohet se nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati.
Edhe në respektim të precedentit të krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020, ne kemi mbajtur qëndrimin që s’ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana që nuk e ndalojnë që të marrin zyrën publike. Ky është një qëndrim i konsoliduar prej KQZ. Janë disa raste, si Zef Hila, të gjitha pyetjeve që lidhen me procedime, ndalime i është përgjigjur me jo, se nuk e ndalojnë që të kandidojë si deputet.
Në vlerësim tim qëndron bindja që një subjekt që ka detyrimin për shkak të angazhimit që të plotësojë një formular, s’ka detyrim të përfshijë të dhëna që nuk përbëjnë shkak për të kandiduar. Vlerësoj që s’ka shkak ligjor që kreu i bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati,” tha Celibashi.