Prokuroria Speciale njofton se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen në ngarkim të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i akuzuar për fshehje të pasurisë.
Sipas SPAK, Selimi akuzohet për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Dy vite më parë, SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të ish-gjyqtarëve të lartë Fatos Lulo, Bashkim Dedja dhe Shkëlzen Selimi. Mirëpo, pas orvatjeve në Gjykatë, dosja është rikthyer për plotësim të hetimeve dhe SPAK njofton përfundimin e tyre.
Pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon:
- 1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi
- Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
- 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
PROKURORIA E POSAÇME – NJOFTIM
“Lidhur me përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.137/2, viti 2021”
Sot me date 31.10.2022 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën me objekt:
Gjykimin e procedimit penal nr. 137/2 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, me funksion ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, akuzuar për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.