Teksa Gjykata pritet të japë masën për ish-kryeministrin Sali Berisha, SPAK ka kërkuar që ky i fundit mos komunikojë me asnjë person, përveç familjarëve të tij.
Burime për mediat bëjnë me dije se në kërkesën e SPAK drejtuar GJKKO-së kërkohet që Sali Berisha të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër përveç personave që jetojnë me të në banesën e tij.
Seanca në Gjykatën e Posaçme për ish-kryeministrin Sali Berisha, e cila u mbajt ditën e sotme, u shty për nesër, më 27 dhjetor. Shkak për këtë shtyrje u bë kërkesa e dy avokatëve të tij, Genc Gjokutaj dhe Solol Mëngjesit për t’u njohur me provat e SPAK.
Në këto kushte, kërkesa e mbrojtjes u pranua dhe seanca e radhës do të zhvillohet nesër, ditën e mërkurë në orën 11.00.
Po ashtu, Gjokutaj dhe Mëngjesi kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga procesi, duke pretenduar për konflikt interesi, pasi në kohën kur Sali Berisha ka qenë kryetar i KLD-së ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e posaçme.
Megjithatë, kërkesa për përjashtimin e Gjokës është bërë në mënyrë verbale dhe Irena Gjoka ka kërkuar që konform ligjit ajo të depozitohej me shkrim në sekretari.
LEXO EDHE: Avokati zbardh kërkesën e SPAK: Duan që policia të mbikëqyrë Sali Berishën në shtëpi!
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar për ish-kryeministrin Berisha ndryshimin e masës nga “detyrim paraqitje” me “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nëse GJKKO vendos këtë masë atëhere Berisha do të qëndrojë në banesën e tij e cila do të mbikqyret nga efektivë policië.
Kujtojmë se ditnë e nesërme, Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste, përpara Gjykatës së Lartë, ku dhe do të zhvillohet edhe seanca për “vulën” e Partisë Demokratike, nëse ajo do t’ i mbetet Lulzim Bashës, do t’ i jepet Sali Berishës, apo do të kalojë për shqyrtim në Shkallën e Parë.