Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vettingut, pezullon nga detyra anëtarin e vet Ardian Hajdari, shkruan newsbomb.al. Ky vendim ka ardhur pasi Prokuroria Speciale vuri në dijeni KPA se kishte nisur hetimet ndaj Hajdarit për fshehje të ardhurash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Anëtari i KPA është kallëzuar penalisht në qershor 2020 nga ish-magjistratët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla. Të tre këta ish-magjistratë janë shkarkuar nga vettingu.
“Krijohen dyshime se ai ka krijuar të ardhura nga avokatia gjatë vitit 2017, por nuk i ka deklaruar në tatime dhe, si rrjedhim, nuk i ka deklaruar as në deklaratën e tij të pasurisë’, pretendojnë denoncuesit të cilët shtrojnë pyetje se si janë përballuar prej tij shpenzimet për jetesë dhe si janë paguar taksat fikse të ushtrimit të aktivitetit të tij”, thuhet në kallëzimin e dorëzuar në SPAK.
Më parë, është kallëzuar dhe anëtari Luan Daci, i cili tashmë është përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë sepse akuza për falsifikim ndaj tij u konfirmua dhe ai u dënua.
Denoncuesit pretendojnë se Hajdari ka gënjyer dhe ka deklaruar të dhëna të pavërteta në Kuvend kur ka thënë se ka ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite, në një kohë kur ai nuk mund të punonte jurist në administratë dhe njëkohësisht të ushtronte profesionin e avokatit.