
Prokuroria e Posaçme ka njoftuar paraditen e kësaj të mërkure, se ka marrë të pandehur Prefektin e Kukësit. Granit Gjana akuzohet se gjatë periudhës që ka qenë zv.kryetar i Bashkisë së Kukësit, ka ndikuar në një tender publik të zhvilluar nga ky institucion.
Ai po hetohet si person që ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Në vijim të hetimeve, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur më datë 1 Dhjetor 2023 që t'i ndalojë plotësisht Granit Gjanës të ushtrojë detyrën që kishte marrë rreth tre muaj më parë, si Prefekt i Qarkut të Kukësit.
Lexo edhe: Granit Gjana, SPAK godet Prefektin e sapoemëruar të Kukësit
Masa e sigurisë është ekzekutuar katër ditë më pas, më datë 5 Dhjetor nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit. Pra, Granit Gjana është njoftuar dhe shoqëruar dje në Prokurorinë e Posaçme dhe po mbrëmjen e djeshme, raportohet se ka dhënë dorëheqjen.
Zyrtari i lartë i marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, është emëruar në detyrën e Prefektit të Kukësit më datë 13 Shtator 2023, pas lirimit nga kjo detyrë e Albert Halilaj. Ky i fundit u zgjodh kryebashkiak i Kukësit dhe hapi rrugë emërimit të Granit Gjanës si Prefekt.
Akuza ndaj Granit Gjanës, Prefekt i Kukësit
Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim Granit Gjana, në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal.
Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “Ufo Cenko” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.
Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “Ufo Cenko" Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.