Hapësire reklamuese

Aktualitet

SPAK çon në gjyq vëllain e Presidentit Nishani dhe mjekun Konstandin Balloma

Shkruar nga Newsbomb
SPAK çon në gjyq vëllain e Presidentit Nishani dhe mjekun
Ilir Nishani, vëllai i ish-Presidentit të ndjerë të Republikës Bujar Nishani, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme së bashku me dy kolegët e tij Gersion Tafa dhe Genci Hiçka, të akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Procedimi penal ka nisur në vitin 2020 dhe vetëm këtë të hënë, datë 12 Shkurt 2024 ajo është pranuar nga Gjykata e Posaçme. Të akuzuar janë dhe dy mjekët, Konstandin Balloma dhe Besim Boҫi, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Dy mjekët e klinikës private të Konstandin Ballomës akuzohen se kanë paguar ryshfet për tre inspektorët. Ilir Nishani, Gersion Tafa dhe Genci Hiçka, të tre inspektorë në Ministrinë e Mjedisit, kanë gjetur në shkelje klinikën e mjekut Konstandin Balloma për trajtimin e mbetjeve spitalore dhe për të mos vendosur gjobë, kanë marrë para nga mjekët Balloma e Besim Boçi.

Dërgim i dosjes për gjykim - Gjykata e Posaçme:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 29.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve Genci Hicka, Ilir Nishali dhe Gerson Tafa, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurve Konstandin Balloma dhe Besim Boҫi të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal. Në seancën e datës 12.02.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (seanca paraprake) me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 39 Regjistri Themeltar, datë 12.02.2024 vendosi: 1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 2.Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
  1. Genci Hicka, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;
  2. Ilir Nishani, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;
  3. Gersion Tafa, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;
  4. Konstandin Balloma, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal;
  5. Besim Boҫi, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal;
3.Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim. Tiranë, më datë 12.02.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese