Prokuroria e Posaçme rezulton se ka bastisur dhe zyrën e kontabilistes Andia Pustina dhe aty ka siguruar dokumente të vlefshme hetimore, për shtetasin e arrestuar Jamarbër Malltezi. Dhëndri i Sali Berishës akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-klubit Partizani.
Sipas një dokumenti të fragmentarizuar që është publikuar nga mediat, nga dosja hetimore, në kompjuterin e kontabilistes Andia Pustina është gjetur një pagesë dividenti për mijëra euro.
Kontabilistja e njohur rezulton se është ndër njerëzit më të besuar të Jamarbër Malltezit dhe personi që është kujdesur për transaksionet dhe pagesat e pronarit të kompanisë "HOMEPLAN". Edhe në rrjetet sociale, ajo shihet krah dhëndrit të Berishës në çdo protestë e aktivitet të PD.
“Materiali i ruajtur me emërtimin “Div. Abi” është pasqyruar dividenti i shtetasit Jamarbër Malltezi së bashku me disa shënime në këtë material konkretisht;
Viti 2017
957,107 Euro – Bankë
72,000 Euro-cash” thuhet ndër të tjera në dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme. Për periudhën 2011-2016 Jamarbër Malltezi nuk deklaron dividentë, por nga hetimet rezulton se ka marrë përfitim në këto vite. Në total sipas SPAK-ut dhëndri i Berishës përfitoi 5.4 milione Euro.
Dokumenti i sekuestruar ne kompjuterin e kontabilistes se Malltezit
"Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.
Shtetasi F. B. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin J. M. për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro", njoftoi SPAK.