Tirana
clear sky
26.5 ° C
26.5 °
26.5 °
54 %
2.1kmh
0 %
Enj
40 °
Pre
39 °
Sht
39 °
Die
42 °
Hën
35 °
E enjte, 29 Korrik, 2021

Sot, qyteti i një mbi një dritareve bën 13 vite në UNESCO, një pasuri e rrallë për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Berati, i quajtur ndryshe dhe si qyteti i një mbi një dritareve, sot bën plot 13 vite i anëtarësuar në UNESCO. Në Sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë të UNESCO-s të zhvilluar në Kanada më 8 korrik 2008, Berati u regjistrua si sajt i trashëgimisë botërore, nën kriteret iii dhe iv.

Berati u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike Osmane. Berati, sipas Unesco-s është dëshmimtar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Në kriterin 3 të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur. 

Kriteri 4 thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës Klasike Osmane, në vazhdimësi me kulturat Mesjetare që e paraprinë atë. Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit i cili renditet kështu midis 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e Trashëgimisë së tyre Universale.

Berati është qyteti i nëntë për nga popullsia në Republikën e Shqipërisë. Qyteti vetë është qendra e Qarkut të Beratit.

Emri i qytetit ndonëse omonim me natën e Beratit, ndoshta vjen nga zbutja e emrit në sllavisht Belgrad – Beograd. Dokumentet zyrtare osmane deri në shek. XV-XVI e quanin der medine-i Beligrad.

Sipas udhëpërshkruesit britanik William Martin Leake, bazuar mbi përshkrimet e Tit Livit, njësoi Beratin me Antipatrean antike. Sipas historianit të antikitetit Sozomenos, Antipatrea njihej ndryshe edhe Veritos. Sipas ndarjeve baritore të Krishtërimit të hershëm, prej fillimit të shek. VI qyteti si qendër ipeshkvie njihej Pulcheriopolis, emër i cili u përdor deri në shek. XII

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona : zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë:

Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.

Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3m e gjatë, 5,3m e gjerë, ngrihet 10m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7m.

Disa kapitale dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si: teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, Xhamia e Hysen Pashës, Xhamia e mbretit, Xhamia e Telelkave, Xhamia e Kuqe Xhamia e Bardhë etj. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kala e Goricë, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.

Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.

Me një fanatizëm të denjë që të quhet i shenjtë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus O) i shekullit VI, i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër/gjashtë kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishen e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Në malin e Tomorit, qysh nga viti 1996, një zonë prej 4.000 ha është shpallur Park Kombëtar. Për nga numri i vizitorëve ai renditet i dyti në vend, pas Parkut Kombëtar të Dajtit.

Më shumë

spot_img
spot_img