Hapësire reklamuese

Aktualitet

Sot është e kotë të na vënë kufij, s’ja kanë dalë perandorë e sulltanë, jo më këta fytyrëbardhët e Brukselit me laptop e kollare

Shkruar nga Newsbomb
Sot është e kotë të na vënë kufij, s’ja

Nga Artan Lame

Me thënë të drejtën, na kishin dalë borxhit, na e kishin thënë: do pendoheni!

Ta zëmë me rradhë që të kuptohemi. Kur të parët tanë ranë ndën Romën perandorake, ndofta sefte do jenë mërzitur, por jo për shumë kohë. Shpejt kuptuan se ndën Romën e pafund mund të bënin gjithë ato që nuk i bënin dot nëpër malet e tyre. Dhe vijoi kështu, njëri pas tjetrit rradha e gjatë e perandorëve me origjinë ilire, e strategëve dhe luftëbërësve të dalë që këndej Adriatikut. Përtej mburrjeve alla-Kocaq, ndonjë meritë të madhe nuk kishte vëndi i tyre në këtë punë, përveç që i kish pjellë dhe i kish bërë kokëshkretë, por sidoqoftë nami i mbeti.

Me Romën, për herë të parë ndenjësit e këtij vendi shijuan botën e madhe dhe, me gjakun që u rridhte ndër deje, s’e kishin për gjë të silleshin të barabartë mes të mëdhenjve të botës shekull pas shekulli. Si ç’bënte ai Topiaj, që rrëmbente për vehte si pa të keq të bijën e mbretit të Napolit teksa shkonte për nuse në Kostandinopojë.

Pastaj ndën turqit, etja e shqiptarëve për pakufij arriti ekstazën. Për 5 shekuj s’u muarr vesh mirë asnjëherë, në i kishim pushtuar a na kishin pushtuar. Pashallarë, vezirë, dinjitarë, luftëtarë, të dalë nga ky kënd i perandorisë së rradhës dhe të shpërndarë anekënd saj. Që nga më zulmëmadhi ndër ta, ai me emrin Skënder që, i zbritur sefte nga malet e Dibrës, të bënte muhabet me Sulltanin muhamedan në njërin skaj të Perandorisë, apo me Papën katolik në skajin tjetër të kontinentit.

O zot sa na shijuan ata 5 shekuj! I binim kryq e tërthor Ballkanit e Azisë, që nga Vjena që e rrethonte Ibrahim pashë Pargalliu për llogari të sulltan Sulejmanit, e deri tek Persia që e mundëte Dukagjin pasha Zade për llogari të Sulltan Selimit. Plaçkit këtu e rrëmbe atje, lërë nam këndej e bëj emër andej.

Artikulli i plotë në revistën Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu