Konferenca e kryetarëve pritet të zhvillohet sot në Kryesinë e Kuvendit. Mbledhja e konferencës së kryetarëve do të mbahet në orën 11:00.
Në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi për draftprogramin dhe draftkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 27 nëntor-22 dhjetor.
Gjithashtu në draftkalendarin e punimeve për këtë periudhë është edhe marrëveshja e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të ardhur nga Afrika.
“Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit,” i depozituar nga Këshilli i Ministrave në datën 17 nëntor.
Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, pritet që votimi në seancë plenare për marrëveshjen me Italinë të bëhet në 21 dhjetor. Marrëveshja për strehimin e emigrantëve që shpëtohen në detin Mesdhe në Shëngjin, u nënshkrua nga kryeministri, Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni, më 6 nëntor në Romë.
Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.
Shpenzimet për strehimin e emigrantëve do të përballohen nga Italia. Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.