
Vajza e ish-deputetit Vangjel Tavo, Eva (Evanthia) Tavo, humbi jetën në një aksident pak javë më parë në lule të rinisë.
Sot Eva do të festonte 24-vjetorin e lindjes. Me shpirtin e copëtuar ish-deputeti kujton vajzën e ndjerë, teksa shkruan se i mungon shumë përqafimi i së bijës.
“Sot Eva do mbushte 24 vjeçe e do e festonte ditëlindjen me familjen dhe miqtë..., por Perëndia deshi që ajo ta festojë me engjëjt...
Eva ishte për ne jetë, lumturi, dashuri dhe bekim, kujtimi i saj ishte, e mbetet thesar. E deshëm e do e duam përjetësisht përtej çdo fjale e përshkrimi! Na mungon shumë e vogla ime dhe për çdo ditë të mbetur të jetës sonë, deri në frymëmarrjen e fundit, do mendojmë kujtimet më të bukura që ti na le…
Me zemrën e pikëlluar dhe lotët e fshehtë që rrjedhin nga thellësitë e shpirtit, në pamundësi të të uroj nën të ngrohtin përqafim: Festo me engjëjt Eva, shpirti im! Vangjel Tavo dhe familja”, shkruan në postim ish-deputeti.
Kujtojmë që Eva Tavo, humbi jetën tragjikisht më 28 nëntor në një aksident automobilistik në Maqedoninë e Veriut. E reja ishte pasagjere në një automjet tip ‘Audi’ që po udhëtonte në autostradën “Nënë Tereza” me drejtim nga Tetova për në Shkup.
Makina e cila drejtohej nga 40-vjeçari me inicialet V.M doli nga rruga në fshatin Llaskarcë dhe si pasojë humbi jetën në vend e reja shqiptare, ndërsa shoferi mbeti i plagosur.
Lexo edhe: Aksidenti ku vdiq Eva Tavo, mediat në Shkup: Vajza e ish-deputetit ishte pasagjere!