Hapësire reklamuese

Social Bomb

Sot Dita e Holokaustit/ Hebreu i shquar:Të më thahet krahu i djathtë nëse të harroj ty Shqipëri!

Shkruar nga Newsbomb

Nga Luan Rama, shkrimtar

Sa herë afrohet, Dita e Holokaustit do më shfaqet gjithnjë fytyra e mikut të vjetër Josef Jakoel, një nga hebrejtë e shquar të Shqipërisë që para se të largohej në Izrael, tha shprehjen e tij të famshme: ‘Të më thahet krahu i djathtë nëse të harroj ty Shqipëri!’

Dhe kjo thënie e tij kishte një të vërtetë të fuqishme dhe të rrënjosur në historinë e hebrejve të Shqipërisë: atë të bashkëjetesës, të besës, mbrojtjes së hebrejve.

E kujtoj gjithnjë e mall fytyrën e tij, shtëpinë ku ka jetuar dikur pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë në rrugën ‘Riza Cerova’, ajo shtëpi e thjeshtë dykatëshe ku ai jetonte në katin sipër dhe plot me libra, e mbushur me aq dashuri, pasi Cefi, siç i thërrisnim të gjithë ishte një poliglot që fliste e lexonte në disa gjuhë, që veshët i mbante në radion e BBC dhe të Voice of America.

 Ishte një shpirt i madh, mjaftë i sjellshëm dhe me humor. Ishte i pari hebre që shkroi për historinë e hebrejve të Shqipërisë. Më kujtohet kur më dha të lexoja një shkrim qe kishte shkruar në vitin 1988 për mbrojtjen e hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte dëshirë ta bënte të njohur dhe shkrimi u botua në gazetën ‘Bashkimi’ të asaj kohe. E megjithatë atij i vinte keq që akti i madh i shqiptarëve, për çeshtje ideologjike ndaj Izraelit ishte ende i panjohur në botë dhe se ai meritonte të njihej kudo dhe së pari nga Izraeli. Pikërisht atë kohë, Cefi filloi të mendojë për shkrimin e një libri të plotë mbi hebrejtë e Shqipërisë që nga pikëtakimet e vjetra të hebrejve dhe shqiptarëve, me sinagogën e tyre në epokën bizantine e më pas në Mesjetë në shekujt XVI-XVII, me historinë e Sabvatai Tsvi dhe më pas të forcimit të komuniteteve hebraike dhe hebrejtë e shekujve XIX-XX, kohë kur ata banonin kryesisht në Berat, Vlorë, Elbasan e gjetkë duke ruajtur tradicionet e tyre hebraike

Kush e ka njohur Cefin atë kohë flet me admirim për të: gjithnjë i gatshëm për të dhënë mendimin e pavarur dhe kontributin e tij. Dikush madje na tregonte dhe një histori të këndshme çka tregonte një anë tjetër të tij. Një ditë vere Cefi po pinte një kafe me dikë në një kafene kur papritur filloi një rrebesh i madh. Të gjithë ikën me nxitim pa paguar. Kur shiu mbaroi dy orë më vonë, Cefi ishte kthyer në banak të paguante dhe kamarieri ishte habitur se ishte i vetmi që kishte ardhur tek ai.

Pas një pune intensive si financier e pastaj si pedagog i Ekonomisë në Institutin Bujqësor të Kamzës, në pension, Cefi filloi të shkruante. Disa miq i kishin gjetur një makinë «Oliveti» dhe me të nisi të shkruante kujtimet e para, historitë e vjetra, me shpërnguljet dhe hebrejtë e ardhur në brigjet e Ilirisë nga Spanja, safaradët. Cefi e pëlqente shumë letërsinë. Parapëlqente librat e gjeografisë, historisë, biografitë e personaliteteve botërore dhe të letërsisë sigurisht. Ja pse përktheu dhe tregimet e shkrimtarit hebre Bashevis Singer që i kishte rënë në dorë ‘Një djalosh në kërkim të Zotit», apo një tjetër vepër të Filiber. Dinte ti këndonte pothuaj të gjitha këngët e festivalit të San Remos, mes të cilave njëra që i pëlqente aq shumë «finche la barca va…’ e Orieta Berti. Por shqetësimi kryesor ishte libri që do tu kushtonte hebrejve dhe shqiptarëve që i mbrojtën ata nga shfarosja. Gjithë jetën ai kishte jetuar në Shqipëri. Kishte lindur në Vlorë, ku kishin jetuar nëna e tij Sandra dhe i ati, Rafael. Por tashmë ata kishin vdekur me mallin për të parë një ditë ‘Tokën e Shenjtë’.

Cefi donte të tregonte ç’kishte ndodhur me hebrejtë në Shqipëri dhe për këtë duheshin pyetur vetë hebrejtë, kudo që ishin, për ngjarjet e tyre personale e familjare, për kujtimet historike e veçanërisht për kujtimet gjatë pushtimit fashist e nazist në Shqipëri. Çfarë ndodhi me hebrejtë gjatë luftës? Si shpëtuan ata? Cilët ishin ata njerëz të thjeshtë që i mbrojtën si të ishin pjestarë të familjes së tyre e po këshu dhe ata qeveritarë që nuk i dhanë listat e hebrejve në Shqipëri? Gjithçka duhej dëshmuar për familjet Veseli, Myrto, Herri, Zeneli, një listë aq e gjatë emrash dhe historish…

Jeta e tij një roman

Po, jeta e Cefit ishte në fakt një roman më vete pasi atij gjithnjë i ishte dashur të mbijetonte, si në kohë lufte ashtu dhe pas saj. Kur ishte student në Korfuz, gjatë luftës Italo-Greke, ushtria greke e arrestoi dhe bashkë me qindra të tjerë e nisën drejt një kampi të burgosurish në Korint. Edhe pse hebre Cefi ishte me shtetësi shqiptare por atë e internuan si shqiptar. I kishin hipur në një anije dhe atje u sëmur shumë dhe desh vdiq nga ethet, por dy murgesha që ndodheshin aty u kujdesën për të dhe e shpëtuan. ‘Dy engjëjt e mi’, thoshte Cefi kur kujtonte atë kohë. Familja nuk dinte asgjë se ku ndodhej biri i tyre. Shumë muaj më vonë më së fundi ai u kthye dhe erdhi në Vlorë. Portën ia hapi nëna e tij, Sandra, e cila nuk e njohu në fillim, aq shumë ishte dobësuar dhe kishte ndryshuar brenda aq pak muajve. Por pastaj ajo e kishte marrë në krahë. Ishte Cefi… Pikërisht në Korfuz ai ishte njohur dhe me Nako Spiru, që të dy studentë nga Shqipëria. Një miqësi i lidhi të dy dhe Cefi kujtonte me mall inteligjencën e Nakos kur bënte komentet në shkollë dhe që nganjëherë i bënte më mirë se dhe vetë mësuesi. “Ishte tepër i zgjuar dhe me shumë talent!” kujtonte ai.

Kur ushtria e Wermahtit marshoi drejt Shqipërisë, një ditë Cefi po kalonte rrugës kur papritur u takua me një shokun e tij të Shkollës Tregëtare, Shyqyri Myrto. - Ku shkon kështu kaq i humbur? - e kishte pyetur ai. - S’di çdo bëhet e fatin tonë! – ia kishte kthyer Cefi dhe i tregoi se duhej të fshihej bashkë me të motrën pasi mund ta arrestonin nga çasti në çast. - Eja në familjen time, do të jetojmë bashkë, - i kishte thënë Shyqyriu dhe menjëherë e kishte strehuar tek familja e tij në Kavajë. “Ishte një familje e madhe, - kujtonte Cefi, - dhe njerëz shumë të dashur që ishin gati të sakrifikonin për ne!”

Ndërkohë, Pepe Kantozi kishte marrë malet në Mallakastër bashkë me partizanët. Të tjerë hebrej u lidhën me lëvizjen. Në Vlorë «Ceta Plakë» arriti të nxirrte nga Vlora e rrethuar shumë hebrenj dhe ti çonte në Dhërmi e gjetkë, nga ku shpëtuan. Doktor Spiro Litos, miku i tij, kishte qenë atëherë doktor në Prishtinë dhe ai mundi të nxjerrë nga kampi shumë hebrej të burgosur, të cilët më së fundi shpëtuan. Po kështu, dhespoti i Beratit, Visarion Xhuvani strehoi hebrej të tjerë në manastirin e Ardenicës, ashtu si në Kamëz Aqif dhe Ganimet Toptani që shpëtuan familjen Altarac dhe Sida Levin me birin e saj. Në Elbasan, Marko Menahem u mbrojt nga familja Nosi, të cilët e fshehën në fabrikën e tyre. Në Shkodër ishte familja e Dario Arditit. Dario kishte njohur në Firenze Qemal Stafën dhe ishin miq të afërt. Por kur gjermanët erdhën në Shkodër, atë dhe gjithë familjen, me përjashtim të Moisiut, i arrestuan dhe i çuan në kampin e Prishtinës. Vetëm i ati mundi të kthehej pas luftës por vdiq menjëherë nga cfilitja e madhe ndërsa të tjerët, të gjithë përfunduan në kampet e shfarosjes. Emrat e shqiptarëve si Fatlli Imami, Haxhi Herri, Hasan Xhufi, Lilo Xhimitiku, Tol Todi e shumë e shumë të tjerë mbetën të paharruara në zemrat e hebrejve.

Kujtimet e luftës ishin të shumta. Të atin, Rafaelin, fashistët italianët e burgosën gjatë pesë muajve meqë një makinë e shoqërisë ‘Levi-Jakoel’ kishte çuar ndihma në mal tek luftëtarët e lirisë. Por ditët më të vështira për të gjithë hebrejtë e Vlorës dhe gjetkë do të ishin pas masakrës së 4 shkurtit në Tiranë, kur Cefin kërkonin ta arrestonin. Nga fundi i luftës kur Shqipëria po çlirohej dhe ushtria e Wermahtit po tërhiqej me shpejtësi, ai mori vesh se Vlora ishte çliruar dhe bashkë me të motrën 16 vjeçare, Enriketa, nga Kavaja ku ishin fshehur u nisën drejt Vlorës. Rrugës panë një kamion dhe e ndaluan. Por kur hipin në të dalluan se ishte një ushtar gjerman. Cefi dinte ca fjalë gjermanisht por nga ai udhëtim i kishte bërë përshtypje se ai gjerman çakërçef i përgjigjej gjithnjë “javol”, “javol”… E ku ta dinte ai se kishte me vete dy hebrej. I kishte dhënë çakmakun që kishte si kujtim dhe ai i kishte çuar gjer në Fier… Që andej një makinë tjetër i kishte hedhur në Vlorë. Kur mbërritën në shtëpi dhe i kishte treguar të atit se kishte ardhur me një shofer gjerman ai e kishte qortuar: «Po ti paske qenë i çmendur!» Aty kishte gjetur tashmë dhe Viktorin me motrën tjetër Eftiminë, të cilët kishin qenë të fshehur në shtëpinë e Qamil Xhyherit.

Kur lufta mbaroi hebrejtë e Shqipërisë filluan të presin lajmet e të afërmve të tyre nga Janina, Selaniku, Korfuzi, ata që ishin arrestuar nga nazistët dhe ishin nisur me trena drejt kampeve të shfarosjes. Ç’kishte ndodhur me ta? Cefi dhe prindërit e tij prisnin kthimin e Eftihisë bashkë me burrin dhe dy fëmijët, të arrestuar në Korfuz në maj të vitit 1944, por një heshtje varri mbretëronte. Për një kohë ata i mbante shpresa e shpëtimit. Por koha kalonte dhe pak nga pak lajmet filluan të vinin.

Kisha parë fotografitë e motrës së Cefit dhe të burrit të saj, të fëmijëve dhe ndër të tjera në një poezi kisha shkruar:

«Rafael, Rafael, ku je shpirti im,/ thuamë ku është pjella ime,/ ah, ky tymi i zi i Gjermanisë që s’më lë të të shoh/ të shoh sytë e tu dhe buzën tënde të tharë/ gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auschvitz,/ kam dalë nëpër kamp të kërkoj pjellën time/ por këta tela me gjëmba më kanë bërë gjak/ thuam burri im i shtrenjtë ku janë,/ I kërkoj ngado dhe nuk e dëgjoj zërin e tyre,/ Niso dhe Lina nuk më përgjigjen më,/ mos vallë janë duhitë e erës që i largojnë/ vallë i ke fshehur nën krahët e tu,/ thuamë Rafael, ku është pjella jonë me sy të bukur/ që cicëronin si zogjtë dhe rendnin si fluturat…»

Nga të parët u kthye Fortunia, e cila nga Gjirokastra ishte martuar në Janinë nga familja Vituli. Atje e kishin arrestuar bashkë me familjen e burrit. Bashkë me qindra të tjerë ata i kishin nisur drejt kampeve të shfarosjes. Por gjatë seleksionimit, kur e panë Fortuninë të fuqishme, nazistët e kursyen dhe e çuan në grupet e punës, ndërkohë që të gjithë të tjerët u çuan drejt dhomave të gazit. Më së fundi nga Gjermania Fortunia ishte kthyer në Gjirokastër ku më vonë do të martohej përsëri po me një hebre që i kishte mbijetuar kampeve. Dhe ata ishin të pakët. Fortunia ende kishte të damkosur krahun e saj me numrin e kampit. Pikërisht atëherë hebrejtë e Shqipërisë kuptuan gjëmën e madhe që kishte ndodhur me komunitetet hebraike. Nga letrat që vinin pikërisht ato vite ata panë turrat me flokët e të internuarve, malet me këpucë dhe valixhe, pirgjet e panumurt me kufoma… Ishte Holokasti

Pas-lufta

Vitet e para të pasluftës në Shqipëri ishin të vështira për familjen Jakoel. Rafaeli, i ati i Cefit bënte tregëti në Vlorë ku jetonte dhe kishte hapur një dyqan edhe në Durrës. Jetonte në paqen e tij dhe hebrejtë mendonin se një epokë e re po fillonte për ta si për gjithë popullin shqiptar. Por shpejt, edhe ata do të zhgënjeheshin. Cefi e kujtonte gjithnjë atë kohë të dhimbshme kur dyqanin në Durrës ia sekuestruan të atit dhe kur një ditë, në shtëpinë e tyre të madhe në qendër të Vlorës erdhën nga Mbrojtja Popullore dhe u konfiskuan gjithçka. Mbante mend kur një nga ata që kontrollonin, nxorri nga dollapi kostumet e tij dhe në sy të tij i provonte duke qeshur. Kështu ata mbetën pa shtëpi dhe u detyruan të shkojnë në një shtëpi përdhese, gjersa Cefi i mori prindërit me motrën dhe u vendosën përfundimisht në Tiranë. Ashtu kokëulur, të thjeshtë e të ndershëm dhe gjithnjë mirënjohës ndaj shqiptarëve që i shpëtuan (qofshin këta dhe komunistë me utopinë e tyre të barazisë), një jetë e re filloi për ta. Cefi ishte financier i zoti dhe në detin plot tallaze të jetës diti të çajë me punën, ndershmërinë dhe inteligjencën e tij si gjithë hebrejtë e tjerë. Kështu Cefi krijoi familjen e tij simpatike, me Aliqin dhe dy vajzat që rriteshin në një mjedis intelektual ku flitej për letërsinë, muzikën, shkencën e historinë. Miqtë e tyre ishin intelektualë me emër si, Eqrem Çabej, doktor Paparisto, doktor Pavlo Pavli dhe shumë intelektualë të tjerë. Një piano dhe një violinë u blenë me sakrifica. Feliçeta luante piano dhe Ksenia luante violinë. Por kur Feliçeta kërkoi të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për piano, kërkesa e saj u refuzua dhe kjo sepse ishte nga një familje me origjinë tregëtare të cilës i ishte konfiskuar gjithçka. Dhe kjo Cefit i dhëmbi shumë. Feliçeta e kujton dhe kësaj dite atë çast kur hyri në shtëpi dhe e pa të atin duke pirë një dopio raki dhe që qante. Ishte e para herë që e shikonte të qante, e para herë që pinte… S’dinte ç’të bënte, dhe ashtu që ta lehtësonte, me talentin e saj spikatës, u ul ne piano dhe nisi të luante Mozart. Ai qante dhe ajo luante, një trisht që do të kthehej në plagë në zemrën e tij. E megjithatë Shqipëria ishte një atdhe për të.

Tradicione hebraike

Mbaj mend kur nga fundi i viteve ’80, në plazhin e Shkozetit, Cefin e shikoja gjithnjë me dorëshkrimet e tij. Dhe gjatë kohës që shkruante, një nga dëshirat e tij ishte të tregonte se si tradicionet hebraike, edhe pse nuk kishin një sinagogë në Shqipëri, përsëri ato kishin mbijetuar me festat, ritet, gjuhën dhe lidhjet mes hebrejve. Kujtonte dhe shkruante për ritet e varrimit ku i vdekuri futej në dhé pa arkivol meqë në Testamentin e Vjetër thuhej se «Je prej pluhuri dhe në pluhur do të kthehesh përsëri». Kujtonte Jehuda Saretën që kujdesej për ritet e tyre, për të kremtet apo festimin e Vitit të Ri hebraik siç e quanin ndryshe «Rosh Hashana»; për ditën e «Jom Kipurit» ose «Ditën e Pendesës së Madhe», ceremoni kjo që mbyllej me lutjen «Kol Nidrei», për të kremten e «Hanukasë», Dita e Purimit dhe Purifikimit te Altarit të Tempullit në muajin dhjetor… Me ardhjen e pranverës vinte Pashka apo «Pesah» e hebrenjve. Kështu traditat vazhdonin me këngët dhe vallet e tyre, me shallin e bardhë me dy vija blu anash apo me shallin e lutjes kur bekoheshin në emër të Abrahamit, Isakut dhe Jakovit… Një Bibël e vjetër në gjuhën greke ishte një nga librat me të çmuar të tij, pasi aty ishte Testamenti i Vjetër i popullit të tij, tregimet e Moisiut dhe të Abrahamit, luftrat e shumta të mbijetesës nëpër shekuj.

Pas një pune të palodhur shkrimi i librit mbaroi. Në krye të tij Cefi kishte vendosur një përkushtim për motrën e tij Eftihia që u tret në hiret e krematorit nazist: «Kushtuar Eftihisë, burrit të saj Rafo, djalit pesëvjeçar Niso, vajzës 2 vjeçare Lina - viktima të Holokaustit. Cefi» Dhe më pas një shënim të shkurtër: «E treta vajin tim në vajin e pafund të popullit tim. Sandra». Ishin falët e shtrenjta të nënës së tij.

Libri ishte padyshim jo thjesht një dëshmi familjare por dëshmi e gjithë komunitetit hebraik të Shqipërisë, e vetë historisë dhe gjurmëve të hebrejve në Shqipëri. Cefi krenohej që hebrejtë edhe pse të kërcënuar për tu shfarosur, u lidhën me luftën dhe luftuan për çlirimin e Shqipërisë. Madje e veçantë ishte dhe kërkimi i gjenealogjive të shumë familjeve hebre që kishin ardhur përsëri në Vlorë në 1850 duke filluar me familjen e Solomon Menahem Jomtov i ardhur nga Janina dhe vendosur në Delvinë me gjithë gruan e tij Astro Negrin. Por ai nuk mjaftohet vetëm me të por dhe pasardhësit e tij siç shkruan në dorëshkrimin e tij: «Nga martesa e tyre lindi një djalë, Menahem Solomon Jomtov, i cili u martua me Rakela Samuilidhi [Rachele Samuilidi], me origjinë nga qyteti Trikalla e Greqisë dhe jetonin nё Delvinё. Rakela ishte izraelite me prejardhje nga Spanja, por në shtëpinë Jomtov flitej greqisht sepse antarët e tjerë të familjes nuk e flisnin spanjishten. Ky ёshtё njё nga shembujt e pakёt tё pёrzjerjes sё izraelitёve me prejardhje tё ndryshme. Nga kjo martesë lindën 6 vajza dhe 2 djem. Nga vajzat, e madhja Astridi, vdiq gjatë barrëlindjes së saj të vetme, tre tё tjerat u martuan në Greqi me të rinj izraelitë, ndërsa Viktoria, u martua me doktor Jani Melon dhe jetuan në Fier. Më e vogla, Ana u martua me Agim Sinën. Ajo ka vdekur dhe është varrosur në Krujë. Nga djemtë e Menahemit, i dyti Sami (Samuel), vdiq në Sarandë më 1937 dhe tjetri Solomoni (Tovi) Jomtov deri në muajin mars 1991 banonte në Vlorë, dhe këtej po atë muaj u kthye në Izrael. Në fillim familja Jomtov i mbajti të forta lidhjet me Janinën nga ku kishin ardhur. Kështu, kur vdiq plaku Solomon dhe e shoqja Astro, ata i varrosën në Janinë. Po ashtu, në Janinë u varros edhe nipi 17 vjeçar Sami. Të tjerët janë varrosur në Vlorë dhe në Krujë…»

Vetëm po të shohësh bibliografinë e këtij libri me titullin «Izraelitët në Shqipëri», (për të cilin po përkujdeset Brikena Çabej dhe Agron Alibali që e gjeti këtë dorëshkrim në Bibliotekën e Harwardit), e kupton seriozitetin e autorit, duke konsultuar në gjuhë të ndryshme vepra themelore për gjurmët hebraike në Shqipëri, nga Straboni, Apollodori, Josephus Flavius, Bonfante, Stipçeviç, etj e deri tek librat e Kristo Frashërit, Selami Islamit, Arben Puto, etj. Po kështu të shumta janë dëshmitë që Jakoel ka mbledhur nga Fejzi Hoxha, Doktor Litos, Shyqyri Myrtos, Kadri Kërçiku, Sado Qamil Xhyheri, doktor Ludovik Kalmari, Zhaneta Solomoni, Rafael Levi e Nesim Levi, Eftihia Silberman, e shumë të tjerë.

Mirënjohja e Madhe

Në vitin 1991 ngjarje të mëdha ndodhnin në Shqipëri: dominoja e fundit e shteteve totalitare në Lindje po binte. Për hebrejtë erdhi dita të shikonin dhe ata tokën e Abrahamit, të realizonin kthimin e tyre në Izrael. Por kjo nuk ishte e lehtë, pasi martesat me shqiptarët, vdekjet dhe varret e të parëve, gjithçka i lidhte ngushtë me këtë tokë. Bashkë me mikun e tij fotograf Refik Veseli dhe hebrejtë Marko Menehem dhe Pepe Kantozi, etj, Cefi mendoi për krijimin e Shoqatës së Miqesisë Shqipëri - Izrael. Pikërisht në ditën e themelimit, në fjalën e tij, mes të tjerash Cefi do të thoshte frazën e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë po të harrova ty Shqipëri!» Që kohë më parë vajza e tij Feliçeta kishte shkuar fshehurazi nga Greqia në Izrael dhe në Institutin «Yad VaShem» të Holokaustit ku kishte dorëzuar listën e mbrojtësve shqiptarë që më pas do të shpalleshin «Fisnikë mes Kombeve». Dhe emrat e tyre do të shkruheshin mes «fisnikëve» të botës… pemë për nderin e tyre do të mbilleshin në kopshtin e madh të «fisnikëve». Më pas, në vitin 1991, një grup «shpëtimtarësh» shqiptarë me ftesë të Yad VaShem do të vititonin Izraelin dhe do të priteshin me shumë mirënjohje nga Instituti i Holokaustit. Gjithçka kishte qenë prekëse. Që atëherë, emrat e 75 fisnikëve shqiptarë (ata kanë qenë më të shumtë, por mjerisht dëshmitarët kishin vdekur në atë kohë) janë rreshtuar krah fisnikësh të tjerë nga e gjithë bota. Por Shqipëria e vogël është e veçantë pasi asnjë hebre nuk u dorëzua nga shqiptarët!

Në Kiriat Balik me Josef Jakoel

Shumë vite më parë vizitova Izraelin dhe një nga vizitat e para që doja të bëja atje ishte të shkoja në varrin e Cefit të dashur, në «Kiriat Balik», që mbante emrin e një poeti të madh izraelit. Nga Haifa shkuam në ato varreza plot pemë ku ai prehej bashkë me gruan e tij Aliqi, krah më krah me të dashurën e tij, pasi historia e tyre ishte një histori e vjetër dashurie që kishte filluar që në rininë e tyre në shkollat e Korfuzit, kur i ati i Aliqit, doktor Koleka, republikan, ishte një i mërguar politik i viteve ‘30. Atëherë Cefi ishte në një kolezh e më pas në Shkollën Tregëtare. Prehej aty me ëndrrën e tij të realizuar e ndoshta ende pëshpëriste siç i kishte pëshpëritur Aliqit gjithnjë: «E ëmbla ime, dashuria ime!” - edhe pse ishin të moshuar. Preheshin bashkë në Tokën e Shenjtë ku jo larg ishin vendbanimet e reja të familjeve shqiptare në Haifa apo në kodrën e bukur të Carmel-it, duke vazhduar me tej në Tel-Aviv, Jeruzalem, Cesare, të cilat jetonin mes dy dashurive: Izraelit dhe Shqipërisë. Cefi flinte dhe unë kujtoja ato ditë e netë plot bujari kur ai n’a priste dhe n’a fliste me aq dashuri për «vëllezërit» e tij shqiptarë, për Shqipërinë që e kishte rrahur nga njëri cep në tjetrin. Jo, krahu i tij nuk ishte “tharë” ashtu si i gjithë shqiptaro-izraelitëve që shkuan në Izrael.

Tashmë të gjithë kanë vdekur, të mbijetuar dhe “shpëtimtarë” modestë. Vetëm aktet e dashurisë humane kanë mbijetuar, “besa” shqiptare për të mos e dorëzuar mikun që vjen në shtëpinë e tij, dhe ky akt jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, jo vetëm nga partizanë e nacionalistë por dhe ata që ishin në krye të qeverisë kuislinge. Besa qëndronte mbi politikat dhe ideologjitë. Ishte ajo që i dha emër Shqipërisë bujare nëpër botë…

83578787_10156437989667136_2066143006137778176_n.jpg82889878_10156437989217136_8454289105201659904_n.jpg82658068_10156437989042136_8184025440537542656_o.jpg83444419_10156437988932136_6090625781665366016_n.jpg83099295_10156437988732136_1557155842162163712_n.jpg

 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.