Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësi ka publikuar sondazhin e opinionit publik për Besimin në Qeverisje për vitin 2020 në Shqipëri.
Në raportin e këtij sondazhi theksohet se krahasuar me vitin 2019, ka rënë besimi te policia, institucionet e kujdesit shëndetësor, media, qeveria qendrore dhe forcat e armatosura, ndërkohë që është rritur besimi tek institucionet fetare.
Ndërkombëtarët dhe organizatat e tyre renditen tek më të besueshmit për publikun shqiptar, por vendin e parë e zenë institucionet fetare (69.8%).
Institucionet arsimore (54.1%), forcat e armatosura (54%) dhe organizatat e shoqërisë civile (52.6%) vijnë mē pas, me rënie nga viti i kaluar.
Kurse partitë politike (20.4%), gjykatat (23.8%), presidenti (23.9%), janë institucionet me renditjen më të ulët për nivelin e besimit.
Sa i përket reformës në drejtësi, 52.8% e të anketuarve besojnë se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit.
Sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, shqiptarët e anketuar priren të besojnë se mekanizmi më llogari-kërkues në vend është Kontrolli i Lartë i Shtetit (60.7%), i ndjekur nga Media (52.8%). Por edhe në këtë pikë të anketuarit besojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë shumë më tepër se institucionet vendase të renditura më sipër.
Ndërkohë, është rritur përqindja e shqiptarëve që raportojnë se kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim nga administrata, nga 19% në 2019 në 32% vitin 2020.
Sa i përket institucioneve të ndikuara politikisht, prokuroria (58%) dhe gjykatat (56%) konsiderohen si institucionet më shumë të ndikuara.