Sokol Mjacaj, autori i vrasjes së dy turistëve çekë në Prekal të Dukagjinit, pranë Thethit në vitin 2015, është autor i një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Burgun e Peqinit këtë të premte. 27 vjeçari ka dhunuar një nga efektivët e burgut dhe i ka marrë armën e shërbimit.
Menjëherë sapo ka marrë armën, Sokol Mjacaj ka shtënë në drejtim të efektivit duke e lënë të plagosur.
Në kushte lirie dhe me armë brenda ambienteve të Burgut të Peqinit, i riu nga Dukagjini ka shkuar në ambientet e kuzhinës dhe ka marrë peng stafin që ndodhej atje. Kanë kaluar disa orë dhe informacionet paraprake janë kaotike, nëse Sokol Mjacaj është dorëzuar apo në burg vazhdon rezistenca.
Më herët, këtë të premte datë 15 Dhjetor 2023 është bërë me dije se ministri Ulsi Manja, ka firmosur urdhrin për izolimin e 27 vjeçarit në regjimin special "41BIS". Ngjarja është e paqartë, por dyshimet janë se vendimi i ministrit të Drejtësisë vjen pas ngjarjes së ndodhur në burg.
“Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorozitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cënojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar", ka thënë Ulsi Manja.
Një vit më parë, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për Sokol Mjacaj, duke e shpallur atë fajtor për vrasjen e dy turistë çekë, Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe, më 4 korrik 2015.