Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Socialistët votojnë PRO zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut, Lindita Nikolla "këmbëngul" se do marrë dhe konsensusin e PD

Shkruar nga Newsbomb
Socialistët votojnë PRO zgjatjes së mandatit të organeve

Amendamenti kushtetues që parashikon zgjatjen me 36 muaj të afatit për funksionimin e organeve të vetingut, të Komisionit të Pavarur i Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë, u miratua të premten në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore. Pro nismës votuan të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste, ndërsa votoi kundër deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho.

Anëtarët e Partisë Demokratike munguan gjatë diskutimeve, ndërsa kjo parti nuk ka akoma një qëndrim zyrtar për nismën.

Por, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i tha BIRN-it, se mazhoranca nuk do ta kalojë nismën në seancë plenare pa marrë konsensusin e PD-së, pasi ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë të cilësuar

“Në linja politike po bëhet diskutimi midis grupeve parlamentare dhe anëtarëve të komisionit të ligjeve”, tha ajo pas mbledhjes, duke theksuar se do vijojë linja e komunikimit me opozitën para se ndryshimet kushtetuese të futen për votim në seancë.

Përfaqësuesit e PD-së e kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre në diskutimet për organet e vetingut me me futjen në të njëjtin kalendar të nismës së tyre kushtetuese që parashikon vetingun e politikanëve, nismë e cila po diskutohet paralelisht në Këshillin Legjislativ.

Për të argumentuar nevojë për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut mazhoranca iu referua edhe opinioneve të ardhura nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare dhe nga shoqëria civile.

Relatorja e nismës, Klotilda Bushka, tha se “pasi kemi studiuar të gjitha materialet e ardhura në adresë tonë, pasi kemi bërë një vlerësim të çështjeve, vlerësojmë se nisma është në përputhje me kushtetutën, ka një interes legjitim në të mirë të reformës në drejtësi dhe arrijmë në përfundimin se kjo nismë të miratohet”. Ajo iu referua opinionit të Komisionit të Venecias, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Srukturës së Posaçme Anti Korrupsion, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të thirrur nga Kuvendi.

I vetmi rekomandim kundër ishte ai i ekspertës, Silva Caka, e propozuar nga LSI, e cila shprehej se çështja e vetingut ishte parashikuar në Kushteturë me kalimin e kompetencave tek KLGj dhe KLP.

Por, të dyja këto organe që duhej të merrnin në dorë ventingun në qershor 2022, në opinionet e tyre shprehnin rezerva, duke e parë si një detyrë shtesë për punën e tyre dhe si prishje e vijueshmërisë së standardit të rivlerësimit.

Sipas KLGJ-së kalimi i vetingut të gjyqtarëve tek ky institucion kërkon kapacitete shtesë të burimeve njerëzore dhe ndryshime ligjore. Po ashtu KLP në opinionin e saj dërguar Këshillit Legjislativ dilte në konkluzionin se marrja përsipër e vetingut të prokurorëve i krijonte këtij këshilli mbingarkësë dhe rrezikonte standarde të dyfishta rivlerësimi për prokurorët.

Në dy letra zyrtare për Kuvendin zgjatja e afateve cilësohej e nevojshme dhe e bazuar në arsye objektive edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i Komisionit Europian dhe nga Programi për Drejtësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (OPDAT). Në të dyja rekomandimet kërkohej forcimi i kapaciteteve të organeve të vetingut dhe zgjatja e mandatit të tyre, në mënyrë që procesi i rivlerësimit të ruante të njëjtin standard ligjor dhe të përfundohej deri në dhjetor 2024.

Edhe Komisioni i Venecias në një opinion të miratuar në dhjetor 2021 pranonte se ka arsye objektive për zgjatjen e mandatit duke iu referuar pengesave në ngritjen dhe funksionimin e këtyre organeve dhe pandemisë së covid-19. Komisioni kërkonte që procesi i vetingut të mos pengonte funksionimin e gjykatave. “Komisioni arrin në përfundimin se zgjatja e propozuar e mandatit deri më 31 dhjetor 2024 mund të konsiderohet në përputhje me standardet evropiane për sa kohë që sigurohet funksionimi i gjyqësorit si i tillë”- thuhet në opinionin e “Venecias”.

Nga analiza e bërë në Këshillin Legjislativ nga viti 2018 deri në fund të 2021 organet e vetingut kanë arritur të rivlerësojnë një pjesë të madhe të dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por akoma mbetet në proces ose pa nisur 1/3 e tyre. /Birn

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll