
Shtyrja e votimit të Këshillit të Europës për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të ketë efekt pozitiv për vendin tonë.
Edhe pse mbetet pak kohë për të plotësuar dy kushtet paraprake (ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Reformës Zgjedhore) ‘’Deutsche Welle’’ gjykon në raportimin e saj se kjo kohë mund të shërbejë për të bindur Francën, Holandën dhe vendet e tjera anëtare të BE-së të ndryshojnë qëndrimin skeptik kundrejt anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Pjesë e artikullit të ‘’DW’’ për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërsië dhe Maqedonisë së Veriut në BE:
Një qëndrim i tillë përforcohet ngaqë Maqedonia e Veriut, ndryshe nga Shqipëria, mori mbrëmë me më shumë vota një "PO" të pakushtëzuar nga partitë politike parlamentare të Gjermanisë. Kjo e bën pa pengesa rrugën e saj drejt një vendimi pozitiv të Këshillit Europian në takimin e tij në Bruksel, muajin e ardhshëm më 18 tetor, nëse kjo datë mbetet e pandryshuar.
Por gjasat janë që kjo datë edhe mund të shtyhet. Konferenca Ndërqeveritare shënon fillimin zyrtar të procesit të hapjes së negociatave të pranimit. Plotësimi i kushteve të grupi të parë, të vëna Shqipërisë nga Gjermania, para kësaj konference Ndërqeveritare kërkon kohë. Por, ajo duhet të zhvillohet atëherë kur Qeveria Gjermane të shohë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe marrjen e vendimit për kryerjen e Reformës Zgjedhore në Shqipëri.
Në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke deputetët gjermanë kërkojnë që kjo reformë të bëhet "në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave elektorale në Shqipëri, në bazë të rezultateve të Komisionit ad hoc për reformëm zgjedhore”. Shtyrja e takimit të Këshillit Europian të 18 tetorit, mund t’i japë kohë Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE, pro hapjes së negociatave të pranimit për Shqipërinë, të bindin Francën dhe Holandën për të ndryshuar skepticizimin e tyre e t’i bashkohen shumicës për një vendim pozitiv.