Hapësire reklamuese

Aktualitet

Skandali në Prefekturën e Korçës, rryshfeti 90% e vlerës së tenderit

Shkruar nga Newsbomb

Fiks Fare denoncoi sonte një tjetër skandal me tenderët e qeverisjes vendore, ku shefja e financës së Prefektit të Korçës, Mirjeta Setallari, kërkon një shumë marramendëse parash ryshfet nga një kompani me qëllim që ta shpallte fituese.

Ndryshe nga rastet e dëgjuara më parë, ku për një tender kërkohet 10 apo 20 për qind e tenderit, madje ka drejtorë që kërkojnë edhe 30 për qind, Setallari ka kërkuar 90 për qind të vlerës së tenderit nga kompania që ajo do ta shpallte fituese. E nuk bëhet fjalë për një tender, por për katër të tillë, të cilët janë realizuar të enjten nga institucioni i Prefektit të Korçës, me qëllim blerjen e pjesëve të këmbimit dhe mirëmbajtjen e dy makinave. Madje, shefja e financës e justifikon kërkesën e saj me faktin se shërbimet dhe mallrat për këto dy mjete, janë kryer dhe blerë më parë, duke të lënë të mendosh se tenderët janë thjeshtë fiktivë.

Vlera totale e këtyre tenderëve të shpallur nga prefektura e Korçës është 450 mijë e 400 lekë të reja për blerje pjesësh këmbimi dhe riparim të dy makinave në përdorim të këtij institucioni. Sipas informacioneve zyrtare në Agjencinë e Prokurimeve Publike, njoftimi për hapjen e tenderëve ishte dhënë një ditë më parë, pikërisht më 3 maj, ndërkohë që data e mbylljes ishte sot.

Dy nga tenderët ishin futur si një i vetëm. Por, ky tender ishte ndarë me dy zëra, përkatësisht 200 mijë e 700 lekë dhe 161 mijë e 500 lekë, pikërisht për blerje pjesësh këmbimi, për automjetet e institucionit. Këto dy tenderë u zhvilluan në orën 12 të ditës së sotme dhe fitues u shpall subjekti Arben Abasllari.

Sipas APP-së, ky subjekt ka paraqitur ofertën prej 168 mijë lekësh për tenderin e parë, ku vlera limit për blerjen e pjesëve të këmbimit të dy mjeteve Xhip dhe Mercedes Benz ishte 200 mijë e 700 lekë. Ndërsa për tenderin e dytë, ku fondi limit ishte 161 mijë e 500 lekë, nuk ka informacion sesa ka qenë oferta e subjektit Arben Abasllari, duke qenë se ende nuk janë publikuar dokumentet e fituesit.

Tenderi i tretë i realizuar po sot për të njëjtat makina u mbyll në orën 12:30 dhe fitues u shpall subjekti "Tech Invest".Ky tender me fond limit 38 mijë e 200 lekë kishte objekt blerje vaji për dy automjetet e përmendura më lart të institucionit. Oferta fituese e Tech Invest për këtë tender ishte 17 mijë e 750lekë.

Tenderi i katërt u mbyll në orën 13:30 dhe fitues u shpall subjekti NOVAKTI. Ky tender kishte objekt riparim dhe mirëmbajtje për dy automjetet e institucionit, me një fond limit prej 50 mijë lekësh. Subjekti fitues paraqiti një ofertë prej 48 mijë lekësh.

Pra të katër tenderët për dy makina janë realizuar brenda 24 orëve dhe tashmë fituesit duhet të plotësojnë kushtet e kërkuara nga autoriteti kontraktues, kundrejt shpërblimit për realizimin e gjithë shërbimeve dhe blerjen e mallrave sipas specifikimeve teknike.

Pas publikimit të këtyre tenderëve në faqen zyrtare të APP-së, Fiksi kontaktoi edhe me shefen e financës së Prefektit të Korçës, e cila konfirmoi se "sot janë hapur zarfet dhe është shpallur fituesi".

Por, Mirjeta Setallari, vetëm një dite më parë kishte bërë pazaret për këta tenderë me biznesmenë, të cilëve u kishte shpjeguar që tenderi është fiktiv, pasi punimet për të cilat është shpallur procedura, janë kryer më parë. Fiks Fare transmetoi dy nga bisedat telefonike të saj me një nga biznesmenët e ofruar për të marrë pjesë në tender, ku ajo shprehet se 90% të vlerës totale të fituesit e donte për vete, ndërsa 10 për qind do i kalonte atij, pasi nuk kishte nevojë për të kryer shërbime për dy mjetet. Madje, ajo thotë se nëse do të ketë ofertues të tjerë, me kushte më të favorshme, ajo do të bisedonte me ta për të shpallur fitues biznesmenin me të cilin kishte rënë dakord më parë për vlerën e ryshfetit. Emisioni investigativ transmetoi bisedat korruptive, ndërkohë që sot, para hapjes së ofertave, shefja e financës, për të arritur qëllimin e saj, i ka dërguar SMS biznesmenit që foli në telefon me të, duke i kërkuar emrin e subjektit të tij.

Telefonata e parë ndërmjet biznesmenit dhe shefes së Financës në Prefekturën Korçë, Mirjeta Setallari

Biznesmeni: Më fal, si e ke emrin ti, se ta harrova

Shefja e financës: Mirjeta.

Biznesmeni:  Mirjeta.

Shefja e financës: Po

Biznesmeni:  Unë mund, kam qejf të marr pjesë në atë tenderin e juaj.

Shefja e financës: Ja një sekondë se ka shumë zhurmë, edhe njëherë.

Biznesmeni: Kam qejf të marr në atë tenderin që folëm, që të thashë nuk do marr pjesë. Mund të marr pjesë.

Shefja e financës: Ehë.

Biznesmeni:  Dhe jam dakord që ju të merrni 90 për qind, ne të marrim 10 përqindëshin.

Shefja e financës: Po në rregull atëherë.

Biznesmeni:  Në rregull ë?

Shefja e financës: Në rregull.

Biznesmeni: Po mirë, po vlera është 400 mijë lekë të reja, unë sa ta nxjerr vlerën se mos nuk fitoj unë dhe atëherë çfarë kuptimi kot? Sa ta çoj vlerën unë dmth, ta lë te 300 mijë të reja, apo ta shtoj një çikë.

Shefja e financës: Po ti shtoje edhe një çikë, por kam hall mos...

Biznesmeni: Se mos nuk e fitoj unë ë?

Shefja e financës: Eee, del ndonjë tjetër.

Biznesmeni:  E megjithatë unë po e çoj ke 350 mijë të reja...

Shefja e financës: Ok

Biznesmeni: Edhe pastaj 90 përqindëshin e lekëve do t’i marrësh ti, se meqë ti, ti thua që mjetet i ke riparuar, se mos më thua pastaj do riparosh mjetet.

Shefja e financës: Po pra po, ajo është tërë vitin.

Biznesmeni: Pa më thuaj, mjetet i ke riparuar?

Shefja e financës: Po janë me riparime, janë bërë të gjitha.

Biznesmeni: I ke bërë dmth, s’kanë defekte të tjera dmth mjetet.

Shefja e financës: Jooo, asgjë.

Biznesmeni: Dmth, çdo gjë është në rregull?

Shefja e financës: Është në rregull

Biznesmeni:  Atëherë shumë mirë, unë do të jap 90 për qind të shumës të lekëve kur t’i marr unë, atëherë ti do më ashtu (japësh) 10 përqindëshin. Ok?

Shefja e financës: Ok.

Biznesmeni: Hajde ia kalofsh mirë.

Shefja e financës: Në rregull, mirupafshim.

Telefonata e dytë ndërmjet biznesmenit dhe shefes së Financës në Prefekturën Korçë, Mirjeta Setallari

Biznesmeni: Më dëgjon se ke çik zhurmë aty, më dëgjon?

Shefja e financës: Po ja dola jashtë me.

Biznesmeni: Po                

Shefja e financës: Më thuaj?

Biznesmeni: Se mos ka dhënë ndonjëri 95% dhe unë vij vërdallë kot, bëj dokumente...

Shefja e financës: Jo jo jo, s’kam folur me asnjë njeri, përveç teje. Unë të thashë që në fillim, të fola drejt, me 10 për qind të kemi llogaritur, që kur bëmë llogaritjet. Jo nuk kam fol me asnjë.

Biznesmeni: Sa e ke llogaritur?

Shefja e financës: Me 10 % dmth, siç e folëm bashkë.

Biznesmeni: Po. Me tjetër njeri nuk ke folur e?

Shefja e financës: Jo nuk kam komunikuar, vetëm në ardhshin nesër, më kupton? Nesër kur të ...

Biznesmeni: Epo...

Shefja e financës: Kur të dali.

Biznesmeni: Po në rast se e fiton dikush tjetër? Si do bëhet?. Ti e ke në dorë atë punë se lekët i ke ti apo jo, s’i kam unë lekët.

Shefja e financës: Po jo, lekët unë i kam.

Biznesmeni: Po.

Shefja e financës: Se unë jam shefja e financës, por është puna, kush renditet i pari pastaj. Do t’i themi në rast se do të jesh i dyti se e kemi realizuar me të dytin, më kupton?

Biznesmeni: Po mirë sa mund të jap, po, po ndoshta ai s’ta bën këtë gjë, si do, si do vesh pastaj ti me atë, nëqoftëse ti s’ke fol me të, apo ti nuk e di kush merr pjesë.

Shefja e financës: Nuk e di, nuk e di, nuk e di këtë. Vetëm në atë moment e marr vesh unë kush ka hyrë, kur të hap ofertat.

Biznesmeni: Atëherë ti do të komunikosh pastaj me atë?

Shefja e financës: Po, pastaj do të komunikoj.

Biznesmeni: Mirë atëherë, mirë.

Shefja e financës: Mirë.

Biznesmeni: Hajde respekte.

Shefja e financës: Mirupafshim.

Biznesmeni: Faleminderit

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu