Hapësire reklamuese

Aktualitet

SKANDALI në Ministrinë e Drejtësisë, Manja “kyç” punonjësit për inventarin e DOSJEVE të braktisura, në 2022 u shpërthye dera e arkivës

Shkruar nga Newsbomb

Zyrat e administratës publike dhe ministrive duket se janë infektuar nga “skandal-virusi”. Ende pa u shuar jehona e “vjedhjes së TIMS” në Ministrinë e Brendshme, një tjetër skandal shfaqet tek Ministria e Drejtësisë.

Prej një jave Ministria e Drejtesisë nuk punon, ka pezulluar aktivitetin me urdhër të brendshëm. I gjithë personeli me 150 nëpunës është ngujuar me urdhër të ministrit Manja, në një sallë në katin e parë, per të bërë një inventarizim dokumentesh që dyshohet se janë vjedhur në ambientet e saj.

Bëhet fjalë për mijëra dosje përmbarimi të braktisura në fund të vitit 2019, kur shoqërisë famëkeqe “Zig”, me përmbarues Arben Meskuti iu hoq licenca e profesionit. Për të krijuar kolaps në sistemin bankar, Meskuti futi nëpër thasë dosjet e punës, duke ju hequr me qindra fletë origjinale dhe pasi i braktisi ato në Ministrinë e Drejtësisë, u arratis edhe vetë më pas.

Ish-ministrja e Drejtësisë e asaj kohe, Etilda Gjonaj, për të mbuluar skandalin, caktoi një staf të ngushtë të bënte inventarin e mijëra fletëve të futura nëpër thasë, por pasi u informua se kjo ishte një hata që nuk mund të “inventarizohej”, e kallëzoi çështjen “Zig” në prokurori. Llogaritet se u braktisën rreth 6000 dosje nga “Zig”, ku përfshiheshin shitje pronash, ankande, sekuestrime shtëpish, e kompanish për të paktën 10 000 persona.

Prokuroria e Tiranës, filloi hetimet kundër “Zig” dhe Meskutit, hetime që nuk kanë përfunduar ende për shkak të volumit të çështjes. Burime nga prokuroria tregojnë se para një muaji, organi i akuzës vendosi të caktojë një grup hetimi me dy prokurorë dhe disa oficerë, për të zbërthyer ‘problemin’ “Zig”.

Por skandali nuk është vetëm ky. Në një natë dhjetori të vitit 2022, në arkivën nëntokësore të Ministrisë së Drejtësisë ndodhi një incident që u mbajt i fshehur nga sytë e publikut dhe medias. Dikush kishte “shpërthyer” derën e arkivës ku ndodheshin dosjet që u braktisën në tetorin e vitit 2019 nga “Zig” dhe kishte hyrë brenda. Policia kriminale bashkë me atë kibernetike, konstatuan hyrje me dhunë në ambientin nëntokësor të arkivës, por nuk gjetën dot fajtorët sepse ditën e krimit kamerat e sigurisë në ministri ishin jashtë funksionit për disa orë. Policët gjetën kuti të shpërndara në formë të rregullt dhe dosje të derdhura në dysheme. Për këtë shkak, zona nëntokësore brenda Ministrisë së Drejtësisë u kthye për disa muaj në zonë krimi me shiritin “Ndal Policia”. Ngjarja u referua në Prokurori, por hetimet edhe për këtë çështje vazhdojnë.

Ministri Ulsi Manja, për të zbutur efektet e mijëra çështjeve të “Zig” në sistemin bankar, biznese, qytetarë të zakonshëm, “kyçi” për një javë rresht ministrinë që drejton dhe futi për të inventarizuar ‘magazinën Zig’, të 150 punonjësit në varësi të tij. Asnjë vartës i ministrit nuk di të shpjegojë përsenë e këtij procesi të padëgjuar më parë, në asnjë institucion të shtetit, përfshirë Drejtorinë e Rezervave të Shtetit.

Çfarë dihet qartë deri tani janë dy skandale të mbajtura fshehur për median; i pari është ‘braktisja’ në tetor 2019 e mijëra dosjeve përmbarimi pa asnjë inventar. I dyti është “grabitja” e tyre, në dhjetor 2022, brenda në Ministrinë e Drejtësisë, nga persona të panjohur.

Mbyllja e Ministrisë së Drejtësisë për një javë dhe kthimi i vetë ministrit në inventarizues letrash të hedhura ose të vjedhura në godinën e ministrisë, është një skandal më shumë se sa dy të tjerët brenda tij!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese