Hapësire reklamuese

Aktualitet

Skandali/ Kryetari i Gjykatës së Dibrës gjykoi një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë

Shkruar nga Newsbomb
Skandali/ Kryetari i Gjykatës së Dibrës gjykoi një vendim

Fiks Fare denoncoi një skandal në Gjykatën e Dibrës, ku kreu i kësaj gjykate, Edan Veçani, ka gjykuar një vendim në shkallën e parë që ishte i formës së prerë nga Gjykata e Lartë. Sipas dokumenteve që disponon emisioni investigativ, z.Veçani lëshoi një urdhër ekzekutimi për një vendim të 2004-ës të ish-gjykatës së Bulqizës, që ishte ndryshuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë.

Në redaksinë e Fiks Fare u ankua z.Sherif Duriçi, i cili thotë se familja e tij ka trashëguar një truall të trashëguar në Bulqizë. Ndërkohë, konflikti është për një dyqan, i cili i është dhënë me privatizim ish punonjëses së këtij dyqani. Z.Duriçi thotë se në vitin 2004 ish Gjykata e Bulqizës, e cila më pas u shkri dhe u transferua në Gjykatën e Dibrës, i dha të drejtë familjes së tij. Nga kjo gjykatë ai mori një vendim me një shënim nga mbrapa nga kancelari që “ishte i firmës së prerë”, nuk ishte apeluar.

Në vitin 2014, kërkoi nga Gjykata e Dibrës lëshimin e një urdhri ekzekutimi të këtij vendimi. Gjyqtari Edvan Veçani vendosi të pranojë kërkesën. Në vendim thuhet se “kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim”. Këtë vendim e çoi të përmbarimi. Filluan procedurat, por në vitin 2017 një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Dibrës vendosi që të rrëzonte vendimin e Veçanit! Sipas qytetarit, janë bërë shumë vendime të dyshimta.

Pas kësaj ankese, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Zyrën e Përmbarimit në Dibër. Dosjen e ka pasur kryetari i kësaj zyre. E pyesim përse janë dy vendime, cilin do të zbatojë, urdhrin e ekzekutimit të 2014-ës apo vendimin e 2017-ës?! Na tregon një detaj, sipas së cilit, edhe vendimi i 2004-ës i Gjykatës së Bulqizës nuk është i formës së prerë! Por, është apeluar madje ka shkuar edhe në Gjykatën e Lartë. E pyesim nëse është në dosjen e përmbarimit, ndërsa pas kërkimeve nuk e gjen.

Ai urdhëron një punonjëse që të shkojë në Gjykatën e Dibrës, e cila vjen pas disa minutash, me vendimin e 2004-ës të Gjykatës së Bulqizës. Por, kësaj here nuk ka shënimin “i formës së prerë”, por “i ndryshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë”. Madje, në faqen e fundit të vendimit thuhet se vendimi i Apelit është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë! Por, si ka mundësi që gjykata nxori urdhër ekzekutimi me një vendim që nuk ishte i formës së prerë? Përmbaruesi na thotë se kjo i takon gjykatës dhe se ai po priste të mbaronin të gjitha vendimet për ta ekzekutuar.

Fiks Fare shkon në Gjykatën e Dibrës, për të pyetur se si u lëshuan vendimet e shkallës së parë që gjykonin njëra-tjetrën. Kancelari i kësaj gjykate thotë se urdhri i ekzekutimit i lëshuar në vitin 2014 nga gjyqtari Veçani është marrë duke u bazuar nga dokumentet që i ka servirur qytetari. Ky i fundit, sipas kancelarit, i kishte servirur një vendim të 2004-ës të Gjykatës së Bulqizës, ku në fund shkruhej se “vendimi ishte i formës së prerë”. Kancelari shfletoi dokumentet në dosje dhe thotë se është edhe një dosje tjetër, ku ky vendim i Bulqizës është apeluar, madje ka shkuar në Gjykatën e Lartë, ku dhe është ndryshuar.

Fiksi i bën të njëjta pyetje edhe kancelarit: Përse nuk e verifikoi z.Veçani? Ndërkohë, kancelari thotë se në 2014-ën ka qenë ai kancelar, por në dosje nuk ka asnjë kërkesë nga gjyqtari Edvan Veçani për të verifikuar nëse ka qenë apo jo i formës së prerë. Sipas kancelarit, një vendim i tillë i takon vetëm trupit gjykues.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll