Ish-kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, është arratisur nga dyert e Apelit të Shkodrës. Bëhet e dije se Frrokaj është larguar nga salla e gjyqit teksa iu caktua dënimi me 3 vite burg për shpërdorim detyre.
Frrokaj është arratisur që prej orës 13:00 të ditës së sotme, ndërsa ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti. Prej më shumë se 7 orësh, Policia është në kërkim të tij, por ende nuk ka asnjë gjurmë, pasi mësohet se nuk është gjetur as në banesë.
Theksojmë se ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i qarkut, Gjok Ndoka, u dënuan sot me nga 3 vite burg. Gjykata e Apelit në Shkodër ka dhënë këta të premte vendimin për ta dhe 15 zyrtarë e qytetarë të tjerë, të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Kujtojmë se hetimet kanë nisur në vitin 2017 dhe prej pesë vitesh ish-kryebashkiaku i dënuar sot me vendim të formës së prerë, ka shkuar në dyert e disa gjykatave.
Fran Frrokaj u dënua fillimisht me 4 vite burg, por vendimi u kundërshtua nga ky i fundit dhe Prokuroria e Apelit, të cilët bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Frrokaj kërkonte pafajësinë, ndërsa Prokuroria pretendonte se nuk ishte zhvilluar si një proces i rregullt ligjor, pasi kishte shkelje procedurale.
Tjetërsimi i tokës te Rana e Hedhun
Në vitin 2017 një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipotekë në emër të disa familjeve të tjera. Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.
Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”. Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.