Hapësire reklamuese

Rajoni

Skandal/ Avokatët e Thaçit paralajmërojnë tërheqjen nga mbrojtja, s'kanë marrë lekët

Shkruar nga Newsbomb
Skandal/ Avokatët e Thaçit paralajmërojnë tërheqjen

Avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçit kanë paralajmëruar se do të lënë detyrën për shkak se nuk kanë marrë pagesën për shërbimin e bërë.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Dhomat e  Specializuara bëjnë me dije se Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenbuerg Legal Associates dhe anëtarëve të ekipit mbështetës.

Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenbuerg Legal Associates dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Ata kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj tyre. Vlen të theksohet se mbrojtja e Thaçit i tejkalon tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, pasi avokatët e angazhuar në mbrojtjen janë shumë të kushtueshëm.

Bashkë me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës po ashtu kishte miratuar një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij ligji”, thuhet mes tjerash në këtë ligj.

Menjëherë pas këtij reagimi, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar lajmin që qarkullon, teksa bën me dije se kanë marrëveshje vetëm me avokatin Luka Misetiq, të cilin thonë se e  paguajnë rregullisht.

Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës

Në përputhje me Udhëzimin Administrativ numër 08/2022 për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar Potencial për Krimet e Pretenduara në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka lidhur marrëveshje për përfaqësim me avokatët përkatës të personave të akuzuar, në këtë rast, me mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, për të cilin rast, raportohet tërheqja e mbrojtjes për shkak të mos realizmit të pagesave.

Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro.

Pagesa për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023.

Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro.

Për sqarim tutje, Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatet më të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me Marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë.

Ndërsa për avokatet tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave.

Pra, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Udhëzimin e tillë dhe legjislacionin në fuqi, ka realizuar me kohë të gjitha pagesat dhe obligimet për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi.

Sakaq, edhe vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi, në një prononcim për mediat kosovare është shprehur se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates”,  nuk ka vijuar për vitin 2024 për shkak të vështirësive financiare në mbulimin e kostove. Idriz Thaçi shprehet besimplotë se ekipi aktual, me në krye avokatin kroat Luka Misetic do të vazhdojë me përkushtim të plotë mbrojtjen dinjitoze ligjore dhe në fund të këtij procesi do të dëshmohet pastërtia dhe e vërteta e luftës së UÇK-së

Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës. Z. Kehoe ka qenë i informuar lidhur me vështirësitë në mbulimin e kostos së shërbimeve të ekipit të tij dhe për mosvazhdimin e kontratës në vitin 2024. Ne e falenderojmë z. Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm dhe për punën e mirë që e kanë bërë në mbrojtjen e z. Thaçi. Po ashtu, besojmë se ekipi aktual do ta vazhdojë me përkushtim të plotë mbrojtjen dinjitoze ligjore dhe në fund të këtij procesi do të dëshmohet pastërtia dhe e vërteta e luftës së UÇK-së”, deklaroi vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese