Tirana
moderate rain
23.5 ° C
23.5 °
23.5 °
60 %
1kmh
75 %
Mar
22 °
Mër
25 °
Enj
22 °
Pre
26 °
Sht
22 °
E martë, 27 Shtator, 2022

Si politikanët po tërheqin yjet e medias sociale

spot_img

Lajme të ngjashëm

Politikanët e Amerikës Latine përpiqen të tërheqin yjet e mediave sociale, shpesh në mënyrë të pahijshme. Votuesit në rajon i duan influencuesit. Por është e vështirë të bindësh njerëzit të duan politikanët, shkruan The Economist

Vitin e kaluar, tre muaj pasi bashkëshorti i saj ra nga ballkoni i hotelit dhe vdiq, Deolane Bezerra, një avokate penale 33-vjeçare, nisi një reality show në YouTube.

Tragjedia e saj personale shkaktoi shumë publicitet, pasi i shoqi, MC Kevin, ishte këngëtar i njohur dhe rrethanat e vdekjes së tij përfshinin alkoolin dhe tradhtinë bashkëshortore, të raportuara me hollësi nga mediat.

Shumë brazilianë donin të ndiqnin jetën e përditshme të zonjës Bezerra dhe motrave të saj. Sot ajo ka më shumë se 14 milionë ndjekës në Instagram, aplikacioni për ndarjen e fotove dhe videove.

Ajo ka pranuar se kërkon nga 400,000 realë (73,000 dollarë) në 1.8 milionë realë, për kontratat e reklamimit (The Economist u përpoq të intervistonte zonjën Bezerra, por ajo nuk u reagoi).

Kjo do ta bënte një nga personazhet e famshëm dixhitalë më të paguar në Brazil. Së fundmi, ajo ishte ftuar për të takuar Luiz Inácio Lula da Silva, i njohur si Lula, ish-presidenti nga Partia e Punëtorëve (PT), i cili pritet të fitojë postin e vjetër në zgjedhjet e tetorit.

“Gëzohem që e di se gjithçka që shpresoj për Brazilin, është në manifestin tuaj”, postoi ajo më pas, së bashku me një foto të tij, duke e puthur në ballë. (Më 14 korrik, policia bastisi shtëpinë e saj në një hetim për pastrim parash. Ajo mohon keqbërjen.)

Zonja Bezerra është një influencuese online, pra një personazh i famshëm në internet që i bind ndjekësit të blejnë gjëra. Influencuesit janë më me ndikim në Amerikën Latine sesa në rajone të tjera, gjë që shpjegon se pse të gjithë, nga politikanët te prodhuesit e parfumeve, po përpiqen të fitojnë miratimin e tyre.

Bota e Selfie

Një sondazh nga agjencia mediatike, We Are Social, tregon se 22% e përdoruesve të internetit në botë, ndjekin nga një influencues (megjithëse përkufizimet e influencuesit ndryshojnë). Në Brazil, kjo shifër është 44%.

Në Argjentinë dhe në Kolumbi, është rreth një e treta (shih grafikun). Sipas një sondazhi të konsumatorëve të kryer nga kompania e të dhënave, Statista, dy të pestat e brazilianëve thonë se kanë blerë një produkt për shkak të një influencuesi, përqindja më e lartë midis 56 vendeve të anketuara.

Nielsen, një firmë e kërkimit të tregut, vlerëson se Brazili ka 500,000 influencues potencialë në mediat sociale (të cilët i përkufizon si persona me më shumë se 10,000 ndjekës). Kjo është më shumë se kudo tjetër.

Influencuesit e Amerikës Latine mund të jenë njerëz të zakonshëm, si dhe të famshëm. Zonja Bezerra nuk ishte shumë e njohur deri vitin e kaluar. Launchmetrics, firmë analitike, është përpjekur të masë se sa vlen miratimi i një influencuesi, në krahasim me koston e montimit të një fushate reklamimi konvencionale, që do të nxiste të njëjtën shkallë angazhimi te publiku.

Firma zbuloi se, kur Jean Carlo León, influencues kolumbian 25-vjeçar, ngarkoi një postim në Instagram për Prada-n, markë italiane e modës, ai krijoi publicitet me vlerë 620,000 dollarë gjatë gjashtë muajve.

Kjo mund të tingëllojë e dobët po ta krahasosh me Kendall Jenner, influencuese dhe modele amerikane, e cila gjeneroi gjashtë herë më shumë publicitet (3.7 milionë dollarë) me një postim në Instagram për Prada-n, gjatë së njëjtës periudhë. Por Jenner ka 250 milionë ndjekës, rreth 40 herë më shumë se zoti León.

Amerika Latine e etur për mediat sociale

Rajoni i Amerikës Latine mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm ndaj influencuesve, sepse amerikanët latinë janë veçanërisht të etur për mediat sociale. Kolumbianët, brazilianët, argjentinasit dhe meksikanët, vlerësohet se shpenzojnë mesatarisht tre orë e gjysmë në ditë në mediat sociale, një orë më shumë se mesatarja globale.

Argjentinasit që përdorin Instagram në një smartphone Android, shpenzojnë 17 orë në aplikacion çdo muaj. Në të kundërt, amerikanët me një smartphone Android, shpenzojnë më pak se tetë orë në aplikacion çdo muaj. Një sondazh vlerësoi se WhatsApp ishte shkarkuar në 99% të celularëve inteligjentë në Brazil.

Influencuesit në botë shpesh i këshillojnë ndjekësit e tyre për të përmirësuar pamjen e jashtme, gjë që tashmë është bërë një biznes i madh në Amerikën Latine. Në Argjentinë, një nga siguruesit shëndetësorë më të mëdhenj privatë, ofron plane që përfshijnë nga një procedurë të kirurgjisë plastike në vit.

Brazili, ku zhvillohen 13% e operacioneve kozmetike me dëshirë në botë, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Kirurgjisë Plastike Estetike, filloi të ofronte ulje tatimore për operacionet kozmetike në vitin 2010. Një anëtar i shërbimit të të ardhurave, pretendonte se “operacionet kozmetike kanë të bëjnë edhe me shëndetin fizik dhe mendor”. Influencuesit online shpesh diskutojnë mbi procedurat kozmetike që kryejnë.

Të rinjtë u besojnë më shumë influencuesve sesa partive politike, thotë Camila Rocha, e cila shkroi një studim mbi rininë dhe demokracinë në Argjentinë, Brazil, Kolumbi dhe Meksikë. Javiera Mieres, influencuese kiliane e modës, mendon se për shkak se influencuesit postojnë online dhe flasin me fansat e tyre pothuajse çdo ditë, “njerëzit ndihen sikur po ndërveprojnë me një mik”. Kur flasin për politikë, ndjekësit e tyre i dëgjojnë.

Jair Bolsonaro, presidenti populist i Brazilit, shfrytëzoi mediat sociale për të fituar zgjedhjet në vitin 2018. Grupet pro-Bolsonaro shpenzuan me miliona dollarë duke pushtuar WhatsApp-in me biseda jo të këndshme për kundërshtarin e tij, Fernando Haddad nga partia e Lulës, PT. Në të kundërt, PT ka qenë më e ngadaltë në përqafimin e fushatës dixhitale.

Në prill, Lula postoi në Twitter se i kishin “kërkuar të rinovonte” praninë e tij në mediat sociale. Këtë postim e shoqëroi me një foto ku kishte pozuar me syze dielli rozë. Ai tha se do të hapte një llogari në TikTok dhe në Kwai, dy platforma të transmetimit të videove. Gjithashtu ai filloi të shoqërohet me influencues online.

Por influencuesit online mund të jenë aleatë të ndërlikuar. Më 13 korrik, Anitta, yll brazilian i muzikës pop, me 63 milionë ndjekës në Instagram, i dha një shtysë të befasishme fushatës së Lulës, duke postuar një foto të saj veshur me një kostum të kuq, e mbështetur në një shtyllë striptizmi, me logon e partisë së Lulës, të skalitur në pjesën e poshtme.

Ajo tha se nuk e mbështeste partinë PT, por se do të ripostonte mesazhe në mbështetje të Lulës në TikTok, Twitter dhe Instagram. Tre ditë më vonë, ajo përsëriti se nuk ishte anëtare e PT-së dhe e ndaloi partinë të përdorte imazhin e saj në fushata.

Politikanët gjithashtu rrezikojnë që të duken si budallenj. José Antonio Kast, një katolik i devotshëm, i cili kandidoi për të qenë president i Kilit vitin e kaluar, ftoi një influencuese të quajtur Daniella Chávez, për të kryesuar eventin e tij të fundit të fushatës. Kjo i çuditi disa nga mbështetësit e tij më të ngushtë.

Zonja Chávez është një modele e Playboy me një kanal në OnlyFans, një platformë abonimi provokuese, ku ajo poston video me mbishkrime të tilla, si: “Mezi pres t’ju tregoj se çfarë ka midis këmbëve të mia!”

Në mënyrë të ngjashme, në Argjentinë, presidenti Alberto Fernández ftoi në rezidencën e tij L-Gante-n, atëherë një këngëtar 21-vjeçar, pak para zgjedhjeve të ndërmjetme në nëntor.

Zoti Fernández ndoshta shpresonte se takimi i tyre do të tërhiqte votuesit e rinj në koalicionin e tij të majtë, për të cilin pretendon se u shërben të varfërve. Fatkeqësisht, L-Gante ka bërë tatuazh në fytyrë fjalën “i pasur”. Zoti Fernández u tall nga publiku.

Disa influencues nuk duan të postojnë për politikën, nga frika se mos humbasin para. Zonja Mieres në Kili më parë postonte video në mbështetje të Gabriel Boric, presidentit të ri të majtë. Por tani që është një influencuese me kohë të plotë, ajo e përmend politikën vetëm në Instagram, nëpër video që fshihen automatikisht pas 24 orësh.

“Asnjë influencues nuk dëshiron të ndërmarrë rrezikun e të qenët shumë politik, sepse përndryshe, markat nuk të punësojnë”, thotë ajo. Luísa Sonza, këngëtare braziliane, kohët e fundit pohoi se markat po bojkotonin ata që denoncuan zotin Bolsonaro.

Ndoshta për shkak të vështirësisë për të bindur influencuesit, disa politikanë kanë bërë përpjekje vetë. Në zgjedhjet presidenciale të Kolumbisë në qershor, Rodolfo Hernández, kandidati 77-vjeçar, pothuajse fitoi duke postuar në TikTok, se slogani i tij ishte “i vjetër, por i shijshëm”. Ai arriti mbi 5 milionë pëlqime. Kaq nuk mjaftoi për t’u zgjedhur, por arriti shumë pranë fitores./ Monitor

 

Më shumë


spot_img
spot_img
spot_img