Hapësire reklamuese

Aktualitet

Si po rritet biznesi i shërbimeve profesionale, 60% e tyre do paguajnë 17 mln euro në vit tatim shtesë si profesionistë të lire

Shkruar nga Newsbomb
Si po rritet biznesi i shërbimeve profesionale, 60% e tyre do paguajnë

Biznesi i shërbimeve profesionale, ku përfshihen aktivitete të kontabilitetit, juridike, inxhinierike, kërkimore, përkthimi etj, që janë kryesisht profesionistë të lirë, ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke krijuar hapësira punësimi e vetëpunësimi për një shtresë të shoqërisë së mesme.

Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT, në vitin 2021, aktiviteti i “shërbimeve profesionale” regjistroi mbi 7500 ndërmarrje dhe 23.1 mijë të punësuar.

Në krahasim me një dekadë më parë, biznesi i shërbimeve profesionale është dyfishuar sa i përket numrit të subjekteve dhe trefishuar për numrin e të punësuarve (shiko grafikun: Ecuria e aktivitetit të Shërbimeve profesionale).

Edhe të ardhurat e sektorit janë rritur me shpejtësi, duke kulmuar në 89 miliardë lekë në vitin 2019, për të zbritur në 72 miliardë lekë në 2021-n, apo 630 milionë euro në 2021-n, me tkurrje prej 20% (por, që nga viti 2020 profesionet e lira u përjashtuan nga TVSH).

Norma e deklaruar e fitimit mbetet relativisht e lartë, në nivele dyshifrore duke u luhatur në 25-27% vitet e fundit. (shiko grafikun: Treguesit financiarë të aktivitetit të shërbimeve profesionale)

60% e të punësuarve në shërbimet profesionale do tatohen 17 milionë euro në vit shtesë

Profesionet e lira janë vënë në “shënjestër” të tatimeve prej disa vitesh për shkak se një pjesë e tyre kanë dalë nga skema e sigurimeve shoqërore dhe janë regjistruar si profesionistë të lirë, për t’iu shmangur tatimit për pagat e larta që arrin deri në 23% (për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj).

Ministria e Financave prej një viti ka hartuar projektligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, që pritej të hynte në fuqi këtë vit, por që është shtyrë tashmë për në 1 janar të 2024-s.

Projektligji i rishikuar sërish parashikon se të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për të vetëpunësuarit do të tatohen me normat progresive 15 deri 23%.

Do të tatohen 15% për qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë. Ndërsa për subjektet me xhiro mbi 14 milionë lekë norma e tatimit do të jetë 23%. Ndërsa për individët tregtarë ky tatim do të filloojë në vitin 2029.

Sipas tatimeve, ky rregullim bëhet për të krijuar barazi në tatime, mes të punësuarve që sot paguajnë deri në 23% për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj.

Më herët, ministrja e financave ka deklaruar se nga ligji i ri pritet të preken rreth 14 mijë profesionistë të vetëpunësuar, shifër që përbën 60% të të punësuarve në aktivitetin e shërbimeve profesionale në vend.

“Janë mbi 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik, të cilat do të jenë subjekt i tatimit, duke ndikuar në këtë mënyrë në dekurajimin e fenomenit të kalimit nga listëpagesa me statusin e të punësuarit dhe me barrë fiskale progresive 13% dhe 23%, tek personi fizik i vetëpunësuar me barrë fiskale 0%. Ndryshimet eliminojnë edhe praktikat e transferimit brenda vendit të fitimit nga personat juridikë subjekt i tatimit mbi fitimin 15% tek personat fizikë të vetëpunësuar me shkallë tatimore 0%, nëpërmjet faturimit të shërbimeve”.

Financat kanë vlerësuar se nga futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, kontributi në buxhetin e shtetit pritet të jetë rreth 2 miliardë lekë (17 milionë euro) në vit./ Monitor

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll