Kompania “D&E” me pronar biznesmenin Ismail Kadiu është përfituesja e tenderit me vlerë 25 milionë euro për uniformat e policisë, tender që u bë shkak që SPAK të vihej në lëvizje dhe të arrestonte 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, raporton newsbomb.
Tenderi i hapur “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, me fond limit: 2.800.347.570 lekë pa TVSH (3,360,417,084 lekë TVSH), u zhvillua më datë 11.05.2020.
Tenderi u hap më datë 26 korrik të vitit 2019 dhe u mbyll më 11 maj 2020. Ministria e Brendshme, më datë 14.07.2020, ka shpallur fituesin e këtij tenderi; kompaninë shqiptare “D&E” SHPK, që ofroi 500 milionë lekë më shumë nga vlera që ofroi kompania turke “Genç Taahhüt Giyim Tekstil Ýnþaat San. Ve Tic. Ltd. Sti”, raporton newsbomb.
Por kompania “D&E” ka vite që ka përfituar tendera me “flamur të kuq”, pasi edhe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitin 2012, u denoncua nga Ps për tenderin e uniformave të ushtrisë, me vlerë 14 mln euro dhe për një lokal që mori brenda mjediseve të spitalit ushtarak, kur ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami.
Pas ndërrimit të pushtetit, kompania “D&E” ka përfituar 23.5 milionë euro të tjera për kontratat e lidhura, ndërsa në fund përfitoi edhe 25 milionë euro të tjera për uniformat e policisë, që u pasua edhe me arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.
Pas finalizimit të tenderit, rezulton se operatorët e skualifikuar padrejtësisht nga gara janë ankuar. Me këtë fond do të sigurohen 8 tipe të uniformave, 4 forma të gradave, stema dhe këpucë të posaçme. Siç shihet dhe nga të dhënat e Open DATA, tenderi është shpallur “me flamur të kuq”, që do të thotë se “Skualifikim i te gjithe operatoreve konkurrues pervec fituesit.”
Por çfarë ndodhi ditën e sotme?
Hetuesit e Prokurorisë Speciale SPAK kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në Ministrinë e Brendshme, duke lëshuar 9 urdhër-arreste për zyrtarë të lartë në këtë institucion. Objekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale është tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit. Ky tender është denoncuar dy vite më parë nga Partia Demokratike. Përmes ish-deputetes Lealba Pelinku, opozita tha se Ministria e drejtuar në atë kohë nga Sandër Lleshaj kishte dhënë 30 milion euro për uniformat e efektivëve të Policisë.
Pas hetimeve të kryera nga SPAK, është kërkuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) arrestimi i personave të përfshirë në këtë tender, të cilët janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe zyrtarë të tjerë. GJKKO ka dhënë “dritën jeshile” dhe Policia ka zbarkuar në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu, per personat e arrestuar, Gjykata e Posaçme ka firmosur dhe urdhrin për kontrollin e shtëpive të tyre.
Të arrestuarit janë:
1 – Edlira Naqellari – Arrest në burg
2- Kreshnik Bejkaj – Arrest në burg
3- Ani Omuri – Arrest në burg
4- Klevis Hasani – Arrest në burg
5- Anisa Bogdani – Arrest në shtëpi
6- Flutura Çekrezi – Arrest në burg
7- Fatmir Demneri – Arrest në burg
8- Gëzim Mingaj – Arrest në burg
9- Mariglen Buzali – Arrest në burg
Për 8 nga të arrestuarit e mësipërm Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për një prej tyre është dhënë masa e sigurisë “Arrest në Shtëpi”. Këta zyrtarë dhe disa prej tyre ish-zyrtarë akuzohet se kanë ndikuar dhe kanë skualifikuar nga gara disa kompani të interesuara për tenderin e uniformave të Policisë.
Aktualisht, të arrestuarit po merren në pyetje nga hetuesit dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale SPAK.
– Edlira Naqellari, Drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, në datë 2 korrik 2021 është liruar papritur nga detyra nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Kjo Drejtori është pikërisht ajo që organizon tendera për të gjitha institucionet qeveritare.
Ajo, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara.
– Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerje të Përqendruara.
– Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Kreshnik Bejkaj, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.