Tirana
clear sky
20.5 ° C
20.5 °
20.5 °
78 %
1kmh
0 %
Sht
38 °
Die
41 °
Hën
40 °
Mar
39 °
Mër
40 °
E shtunë, 31 Korrik, 2021

Si është e mundur që ky shtet nuk gjen punë për mendjet e ndritura? Lamtumirë Petrit Ruka!

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

NGA PANO HALLKO

E nderuar bashkëshorte e Petrit Rukës, zonja Zhaneta, të dashur fëmijë të tij, Nigela dhe Deradian, e dashur mbesë e tij, Edea!

Të nderuar vëllezër dhe motër e Petritit,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë Ceremoni të Përmortshme!

Sot, e gjithë bota kulturore, letrare dhe artistike e Shqipërisë, është në zi.

Përcjellim sot, në banesën e fundme, një burrë të rrallë, një poet të pa zakontë, një punëtor të madh të Letrave Shqipe, një skenarist ndër të paktët që pati ky vend, burrin e madh Petrit Ruka.

Petrit Ruka, u lind më datën 21 Gusht të vitit 1954 në Turan të Tepelenës, në një truall me Mënë, e në një familje emërmirë patriotike shqiptare.

Prindërit fisnikë të Petritit, Novruzi dhe Seftéja lindën dhe rritën gjashtë fëmijë. Secili prej tyre shkëlqeu në jetë, në drejtimin që mori.

Petriti që sot po e përcjellim shumë para kohe, shkëlqeu, por në mënyrën e tij. Në një mënyrë që ndodh me pak njerëz.

Te pak njerëz ndodh kjo, por ndodh. Dhe ndodh, sepse ata janë të paktë. Shumë të pakta, Penat si Petrit Ruka.

Ata njerëz të paktë, të cilët me jetën e tyre përgjithësisht të shkurtër garantojnë përjetësinë, shpesh herë nga ne që na duket vetja si njerëz normalë, quhen njerëz “jo normalë”.

Ne, shumica anonime, shpesh ua themi këtë këtyre të “pa zakonshmëve”, për t`i stigmatizuar, a në rastin më të mirë, për t`i ngacmuar.

Por ne kemi thënë një të vërtetë të madhe, të Vërtetën e Jetës. Ata nuk janë “normalë si ne”, pikërisht për faktin se janë të pa zakonshëm.

Intelektuali i madh që ndahet sot nga ne, ishte dhe mbeti i pa zakonshëm.

I pa zakonshëm në penë, i pa zakonshëm në fantazi, i pa zakonshëm në dashuri.

Një katarakt i madh mendor dhe shpirtëror, që vjen një herë në kaq, nga thellësitë e shekujve, si prodhim special i Genit dhe i Trollit, i cili vjen në bazë të kushedi se cilëve Ligje të pashkruar që Natyra ka, e që vjen me porosi.

Me porosi për të ndriçuar furishëm ekzistencat tona, për të na marrë në krahët e tyre vetëtimthi, duke na mundësuar të vërejmë se sa poshtë jemi ne, “normalët”.

Ti o Petrit Ruka, i erdhe këtij vendi si një Nënë e madhe, me një botë të madhe. Një botë në të cilën kishe mbledhur gjithë rrëketë, përrenjtë dhe lumenjtë e Labërisë dhe të Shqipërisë.

Ti punove me lëndën e këtyre lumenjve malorë dhe me lëndën e tyre prodhove Dritë, dritë për shpirtrat njerëzorë.

Sepse askush si ti, nuk u këndoi përkëdheljeve të nënës, zogjve, gurgullimës së lumit, shokëve të gjallë e të vdekur.

Me dashurinë tënde ti, o Petrit Ruka, o dashuronjës i marrë dhe i çmendur, na ke dehur shpesh ne të tjerëve.

Ti me botën e madhe që pikove në Penë, na bëre të gjithëve të ndjehemi krenarë për atë çka jemi, që jemi shqiptarë.

Nuk ka qenë rastësi që Petrit Ruka librin e parë të tij, e titulloi “Atdheu fillon tek zemrat”. Shqipëria ishte dhe mbeti vërtet në zemrën e tij dhe kjo nuk ishte rastësi, por produkt i atyre Ligjeve për të cilët fola më sipër.

Atdheu për Petritin ishte dhe mbeti po aq i afërt e i natyrshëm, si babai, si nëna e tij, si vëllai i tij, si motra e tij.

Petrit Ruka është ndoshta poeti i vetëm që patëm, i cili shkëlqeu njësoj si në Lirikë, në Epikë, e në Baladë.

Baladat e tij janë të rralla në Letërsinë Shqipe, e ndoshta do vonojë Shqipëria të ketë një Penë të tillë.

Petriti ishte i mbrami i poetëve tanë që mund të shkruanin Balada të tilla.

Të nderuar pjesëmarrës në këtë Ceremoni të Përmortshme!

Është e e shkruar mesa duket, në Beduvanë që trashëgon ky komb, që njerëzve të cilët i ka të paktë e të rrallë, t`u vështirësojë jetën. T`u pamundësojë jetesën e zakonshme.

Sepse është e tillë, prandaj quhet Beduva. E them këtë, sepse shtrohet një pyetje e thjeshtë në dukje, por thelbësore:

-Si shpjegohet fakti, që njerëz dinjitarë të mëdhenj, e prodhimtarë të mëdhenj të mendimit, të Artit dhe të Kulturës, disa herë në jetën e tyre, ndodhen pa punë?

Po cili më përpara sesa Moikom Zeqo përshembull, apo sesa Petrit Ruka, i duhej shtetit, në një vend pune?

Kur në këtë vend, nuk mbeti njeri mediokër e me personalitet të dyshimtë, pa u punësuar, madje aty afër “majave”?

Por dinjiteti është virtyti të cilin njeriu as e blen dot, e as mund ta shesë dot.

Familjet e mëdha, që kanë në krye njerëz të mëdhenj, paguajnë haraç për dinjitetin. Me çfarëdo çmimi, por Dinjitetin kurrë nuk e humbasin.

Petriti arriti shumë në jetë, si pak të tjerë. Studimet pasuniversitare, ai i kreu pёr dramaturgji filmike, ishte Skenarist dhe regjisor në Kinostudio “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio.

Drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve. Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare, Pedagog tek Universiteti i Arteve-Dega e Regjisë së Filmit.

Ka realizuar më shumë se 40 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor dhe 10 libra të pikuar, të cilët mbeten xhevahirë në Letrat Shqipe.

Padyshim, arritja më madhore e Petrit Rukës, ishte dhe mbeti Familja e tij dinjitoze, të cilën e ndërtoi me Zhanetën dinjitoze.

Janë fëmijët e tij, njësoj dinjitozë dhe të aftë si prindërit e tyre.

Janë vëllezërit dhe motra e tij, e doemos njëri ndër të paktët intelektualë të këtij vendi, Akademik Hetem Ruka.

Jemi të gjithë krenarë, që e solli jeta të jetojmë në kohën e Petrit Rukës.

NË SHENJË NDERIMI E RESPEKTI, JU FTOJ TË MBAJMË 1 MINUTË HESHTJE!

I PAVDEKSHËM KUJTIMI I TIJ, NË JETË TË JETËVE!

Më shumë

spot_img
spot_img