Hapësire reklamuese

OpEd

SI E MORA INFEKSIONIN NE PLAZH!

Shkruar nga Newsbomb

Nga EDI OGA ekskluzivisht për Newsbomb.al

Më lejoni që të mos jua mbaj peng kuriozitetin tuaj mbi gjendjen time shëndetësore dhe t’ju them që në krye të herës se nuk bëhet fjalë për infeksion nga COVID-19, por një infeksion i një lloji tjetër. Po guxoj të them që ky infeksion krijon baza që në organizmin tonë të mbivendoset kovidi!!!

Bëhet fjalë për një infeksion të cilin ne shqiptarët e trashëgojmë ndoshta prej shekujsh dhe nuk po e çrrënjosim dot; infeksionin që është në rrënjë të gjendjes aktuale të shoqërisë sonë dhe nuk na lejon të bëjmë “xhap” e të rradhitemi edhe ne në listën e kombeve të qytetëruar të perëndimit.

Me lejen tuaj, këtë infeksion të cilin ju e njihni të gjithë, po e emërtoj me një term folklorik.  Ky infeksion mund të quhet lirshëm “çiqitëmizmi”!

Simptomat e këtij infeksioni përfshijnë:

  • Liri e pakufizuar e individëve për të shkelur ligjet dhe rregullat.
  • Mungesë totale respekti dhe empatie për tjetrin.
  • Mungesë totale frike ndaj keqbërësve që nuk shihen me sy.

Po bëhem më konkret. Kur u nisa për në plazh, prisja që atje të gjeja ndryshimet që qeveria ka imponuar në zbatim të rregullave për t’u mbrojtur nga COVID-19. Gjithashtu mendova se pushuesit do të respektonin distancimin social dhe do të përdornin maskat sipas udhëzimeve. Për vete u pajisa me maska rezervë që në Tiranë, duke menduar për ndonjë mungesë eventuale në vendin ku do shkoja.

Çfarë gjeta?

Gjeta të njejtin plazh, me të njejtën vendosje çadrash dhe ambientesh shërbimi që kam gjetur vjet dhe çdo vit përpara tij. I vetmi ndryshim, flakone pothuaj bosh me dezinfektues aty-këtu dhe punonjës që mbanin maska të lodhura nën mjekër, sa për të qenë në rregull me ndonjë kontroll nga ata që mbyllen me lekë në dorë. Gjeta gjithashtu pushues me po ato sjellje ndaj ambienteve dhe personave, që kanë pasur edhe kur termin koronavirus e përdornin vetëm mikrobiologët!

A thua këta njerëz nuk e dinë akoma që Bota po përballet me një pandemi ndaj së cilës askush nuk është i përjashtuar?!

A thua këta njerëz nuk e kuptojnë se midis një seance plazhi dhe një dreke në restorant mund të infektohen me koronavirus dhe, në mos u sëmurshin e vdekshin vetë, mund të na sëmurin ne të tjerëve dhe të dashurit tanë?!

Ditën e parë u bëra keq. Po mendoja kthimin në shtëpi. Nuk mund të rrezikoja as shëndetin tim, as atë që më ka mbetur nga përgjegjshmëria qytetare, nga ndërgjegja ime prej qytetari të rregullt. Nuk e bëra. Në vend të kthimit mendova të vazhdoj sjelljen korrekte ndaj pandemisë. Shmanga kontaktet sa munda, mbajta maskën në markete dhe ambjente të tjera të mbyllura, laja duart siç na kanë thënë. Ndërkohë shihja sesi vetëm pak të tjerë bënin si unë. Një pakicë fare e vogël. Të tjerët vepronin si të prekur nga ai infeksioni tjetër që ju përmenda më lart. Nga “çiqitëmizmi”! Në fytyrat e tyre lexoja mendime të tilla: “Mua virusi më ha m*tin! Unë jam i fortë” ose “Më plasi mua se po ta ngjis virusin. Kur nuk mbroj veten, pse të të mbroj ty?”.

Duhet ta pranoj se dje fillova të lëshoj edhe unë. Nuk e vura maskën në dyqan dhe luajta letra me një sivëllam nga Kosova. A mos janë këto shenja që edhe unë jam infektuar nga “çiqitëmizmi”? Po ti, a ndjen se ke ndonjë shenjë të këtij infeksioni kaq të rrezikshëm?

Sondazh

Poll